Lajme

Hoti kërkon që në dialog të mbahet fokusi te marrëveshja finale për njohje reciproke

Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në dialog me Serbinë të mbahet fokusi tek marrëveshja finale për njohje reciproke e “jo të rrëshqitet në dialog teknik”, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti deklaroi se në qeverinë sa ishte ai kryeministër, ka nisur dialogu për marrëveshje finale për njohje reciproke.

Marrëveshja e Brukselit për targat

“Në qeverinë e kaluar ka nisur dialogu për marrëveshje finale për njohje reciproke, i bazuar në platformë të parimeve, objektivave dhe vijave të kuqe në dialog. Si e tillë, kjo platformë ka qenë kornizë veprimi brenda të cilës është dialoguar. Platforma është dorëzuar tek partnerët tanë ndërkombëtarë para se nisjes së dialogut”, shkroi ndër tjerash Hoti.

Por, sipas tij, me veprimet e qeverisë aktuale, siç është takimi i së enjtes në Bruksel, “po kthehemi prapa në dialog Teknik”, pasi që për targat nuk ka asgjë çfarë të diskutohet.

“Për targat nuk ka asgjë çfarë të dialogohet. Marrëveshja për targat ka skaduar më 15 shtator 2021. Një vit më parë, në shtator 2020, në zbatim të marrëveshjes së Brukselit, ish Ministri i Brendshëm Veliu e ka anuluar udhëzimin administrativ për të pamundësuar regjistrimin e automjeteve më tutje bazuar në marrëveshjen e vitit 2016, në mënyrë që përtej datës 15 shtator 2021 të mos ketë në qarkullim automjete të regjistruara sipas marrëveshjes së Brukselit.

Lexo edhe:
Petkoviq për takimin e grupit punues të Kosovës dhe Serbisë për targat: Është takim vetëm i ekspertëve

Pra, vendimi i qeverisë aktuale për targat ka qenë rrjedhojë e vendimit të qeverisë paraprake dhe i bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes të datës 14 shtator 2016”, shtoi ai.

Tutje, Hoti thotë se marrëdhëniet me Serbinë nuk normalizohen pa marrëveshje për njohje reciproke.

“Të gjithë duhet ta kemi të qartë se marrëdhëniet me Serbinë nuk normalizohet pa marrëveshje për njohje reciproke. Kur analizohet gjeneza e problemeve të përditshme që na shfaqen në relacion me Serbinë, shihet qartë se ato probleme janë derivat i mungesës së njohjes reciproke”, përfundoi Hoti.

Ndryshe, të mërkurën është bërë e ditur se më 21 tetor do të takohen grupet teknike të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për të diskutuar lidhur me targat e automjeteve.

Siç kanë konfirmuar nga Qeveria e Kosovës, në këtë takim pritet të shqyrtohen opsionet për një zgjidhje të përhershme, bazuar në tri parime kryesore.

“Parimet kryesore janë: e para – zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian, e dyta – të jetë e aplikueshme dhe të aplikohet për të dy palët, dhe e treta – nëse njëra palë bllokon arritjen e një zgjidhje të përbashkët apo nuk zbaton atë që është dakorduar atëherë ajo është palë bllokuese e dialogut”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës për media i qeverisë.

Lexo edhe:
Të enjten mbahet takimi i grupeve teknike të Kosovës dhe Serbisë për targat

Në këtë mbledhje të parë nuk pritet të merret ndonjë vendim.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është arritur më 30 shtator në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pika e tretë e kësaj marrëveshje thotë se do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e të tri palëve – të BE’së, Prishtinës dhe Beogradit, dhe që do të kryesohet nga BE’ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e Bllokut./SHQIP.com