Lajme

Haxhiu: Vendim i padrejtë dhe skandaloz

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vendimi i  Gjykatës Themelore të Pejës e cila ka dënuar me 7 vjet e gjysmë burgim, Shaban Gogajn, është i padrejtë dhe skandaloz.

Ajo ka kërkuar të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, në mënyrë që “të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore”

“Një djalë i ri, në një ditë normale e në vendin e tij të punës, vritet tragjikisht. Procesi gjyqësor ndaj personit të dyshuar është zhvilluar me shumë probleme dhe është karakterizuar me shumë çështje që e kanë penguar një proces të drejtë dhe efikas. Si ministre e Drejtësisë nuk kam mandat e as intencë për të ndërhyrë në asnjë rast gjyqësor, mirëpo është e domosdoshme të theksohet se sikur opinioni publik, jam e shqetësuar me  mënyrën e administrimit të këtij procesi, përfshirë këtu edhe shkallën e dënimit me aktgjykimin e sotëm.

Lexo edhe:
Shaban Gogaj dënohet me 7 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Agonis Tetajt

Është vendim i padrejtë e skandaloz! Shteti i së drejtës kërkon vendosmëri të personave që ushtrojnë detyrën zyrtare në organet që janë bartëse të sistemit të drejtësisë. Pra, kemi nevojë për prokurorë të ndershëm e profesionistë që me precizitet hetojnë rastet dhe po ashtu gjyqtarë që marrin vendime brenda suazave të ligjshmërisë dhe në përputhje me provat e faktueshme të rastit. Në këtë drejtim, bëj thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së të ndjerit, Agonis Tetaj, në mënyrë që të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore”.

Tutje ajo ka thënë se aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër, vetëm drejtësi jo./SHQIP.com

/Shqip.com