Lajme

Haxhiu: Prokurorët dhe Gjyqtarët duhet të punojnë për viktimat e dhunës

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, UNICEF dhe UN Women kanë mbajtur tryezën me temë “Dhuna ndaj vajzave – Drejt parandalimit dhe reagimit efektiv”, në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Me këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se puna e institucioneve në parandalim të këtyre rasteve nuk fillon as nuk përfundon me këtë fushatë.

“Puna jonë kundër këtij fenomeni nuk fillon me fushatën që kemi lansuar. Edhe Kosova i është bashkuar vendeve të tjera për ndërmarrë aktivitet të ndryshëm me qëllim të sensibilizimit të opinionit edhe për raportimin e rasteve të dhunës sikurse edhe për thirrje institucioneve për veprime në përputhje me përgjegjësit dhe mandatin që kanë”, ka thënë Haxhiu.

Por sipas saj, është hera e parë që institucionet i kanë veshtë e sytë kah viktimat e dhunës në familje, e sidomos gratë.

“Është hera e parë që MD-ja e drejton fushatën kundër dhunës në bazë gjinore. Për herë të parë institucionet i kanë sytë e veshët kah viktimat e dhunës, dhuna në familje nuk mund të shihet si diçka e izoluar si diçka privat sepse është përgjegjësi institucionale për ta adresuar”, thekson ministrja Haxhiu.

Tutje, ajo ka deklaruar se gjyqtarët e prokurorët mund të jenë të hidhëruar me Qeverinë për shkak të pagave, por që duhet të jenë zëri i viktimave dhe të zotohen se do të përfundojnë punë e tyre me përgjegjësi në bazë të mandatit që kanë.

“Kemi shumë punë për të bërë, sfida më e madhe mbetet sistemi i drejtësisë, më vjen keq që në këtë tryezë nuk ka as prokurorë as gjyqtarë sepse ata mund të jenë të hidhëruar me Qeverinë, por kur jemi duke diskutuar për viktimat e dhunës ata duhet të jenë në secilin organizim që mbahet për t’u zotuar që do të kryejnë detyrën dhe përgjegjësinë me mandatin që kanë”, është shprehur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

/Shqip.com