Lajme

Haxhiu: Procesi i Vettingut është proceduar në Qeveri

Ministrja e Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se është proceduar në Qeveri, koncept-dokumenti për Vettingun, njofton Shqip.com.

Në një konferencë për media, Haxhiu tha se ky koncept-dokument do të votohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, teksa shtoi se për këtë çështje është bërë një punë intensive.

Lexo edhe:
Publikimi i përgjimeve të Shqip.com – Sallahu: Vettingu në drejtësi s’ka alternativë

“Sot pas një pune të jashtëzakonshme e kemi drejtuar për Qeveri dhe do të votohet në mbledhjen e radhës së Qeverisë. Sistemi i Vettingut përballet me probleme të shumta. Krahas sfidave shkaktar i këtyre ngecjeve është integriteti i mangët.  Falënderoj juristë në përbërje të Vettingut. Koncept- dokumenti është komentuar edhe nga ekspertë ndërkombëtarë.  Është punuar që të garantohet proces i drejtë”, deklaroi ajo.

Ministrja e Drejtësisë dhe zëvendësministrja në konferencë për media

Sipas saj, ky proces nuk është duke u bërë ndaj ndonjë individi por që është i domosdoshëm për sistemin gjyqësor.

“Zotimi ynë për shtetin e së drejtës do të jetësohet. Ky proces nuk po bëhet kundër një emri të përveshëm por i domosdoshëm. Kosova do të jetë shtet i së drejtës. Vettingu është kërkesë shoqërore”, tha ajo.

Kurse, zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, tha se subjekt i Vettingut do të jenë të gjithë gjyqtarët, prokurorët si dhe zyrtarët që kanë pozita të larta drejtuese brenda sistemit gjyqësor por edhe prokurorial.

Tutje, ajo shtoi se anëtarët e procesit të Vettingut do të jenë profesionistë të cilët do të vetohen paraprakisht me asistencë ndërkombëtare dhe më pas do të zgjidhen nga Presidentja e vendit.

“Anëtarët do të zgjidhen në Kuvendin e Kosovës dhe do të shpallen nga Presidentja e vendit, të njëjtit do të vetohen paraprakisht nga një organ me asistencë ndërkombëtare. Vettingu do të zhvillohet me tre trupa vendimmarrës për gjyqtarët dhe dy trupa për prokurorët”, tha Shala.

Po ashtu, Shala deklaroi se zhvillimi i këtij procesi është paraparë që të bëhet në pesë opsione.

“Janë identifikuar 5 opsione. Ruajtja e status quo-s, parasheh zhvillimet e vetingut, parasheh zhvillimet kushtetuese dhe opsioni i kombinuar ndërmjet asaj kushtetuese dhe ligjore. Vazhdimi i performancës parashihet me mekanizma të ndërtuar nga Këshilli gjyqësor dhe prokurorial”.

“Vettingu do të zhvillohet me tre trupa vendimmarrës gjyqësor dhe dy trupa prokuror. Përgjatë procesit do të sigurohet vazhdimësi e punës në institucionet e përfshira. Në rast se gjatë shqyrtimit të rastit ka shkelje për subjektin propozohet sanksione të caktuara”, ka thënë ajo tutje./Shqip.com