Lajme

Haxhiu: Po tentohet të ketë ndërhyrje në rastin “Brezovica”

Albulena Haxhiu - Ministre e Drejtësisë
Albulena Haxhiu - Ministre e Drejtësisë

Ministrija e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook, ka bërë të ditur se po tentohet të ketë ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”.

“Me shqetësim të thellë po i përcjell raportimet për ndërhyrjet flagrante në rastin e njohur Brezovica. Hetimet që po zhvillohen në kuadër të këtij rasti janë ndër më të rëndësishmet në luftën kundër korrupsionit që nga shpallja e pavarësisë” ka thënë fillimisht Haxhiu.

Sipas Haxhiut, pavarësisht parimit të prezumimit të pafajësisë, çdo dyshim i arsyeshëm për ndërhyrje në procesin hetimor nga ana e personit zyrtar, duhet të hetohet jo vetëm si shkelje disiplinore, por edhe si vepër penale.

“Keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ushtrimi i ndikimit për të penguar proceset hetimore, përbëjnë një kancer në sistemin tonë të drejtësisë, një kancer të cilit duhet të gjithë së bashku t’i japim fund dhe atë sa më shpejt” ka shtuar më tutje Haxhiu.

Lexo edhe:
Politikanë, gjykatës e biznesmenë, pronarë të vilave të sekuestruara në Brezovicë

Personat e arrestuar në rastin “Brezovica”, dyshohen për fajde, dhënje rryshfeti dhe ushtrim i ndikimit.

Pesë ditë më parë, Gjykata Themelore në Pejë ka urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm të villave në zonën malore “Sharri” në Brezovicë.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Kujtojmë se lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.

Siç ka raportuar Betimi për Drejtësi, në këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të tria niveleve të gjyqësorit.

Sipas prokurorit Rasim Maloku, i cili kohë më parë ishte deklaruar në media, shumica e këtyre objekteve janë ndërtuar, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zone.

Maloku ka njoftuar se pronarët që kanë blerë villa apo kanë ndërtuar, duke mos u përfshirë në vepra penale, nuk do të hetohen dhe ndiqen penalisht, por atyre vetëm do t’iu sekuestrohen pronat

Por, të gjithë këta persona, do të kenë mundësinë ligjore që të ndjekin rrugët në procedurë civile për kompensim të dëmeve që iu shkaktohen, ndërsa për villat, sipas Malokut, do të bëhet kërkesë për rrënimin e tyre, në mënyrë që zona të kthehet ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Ndër politikanët që figurojnë në listë janë Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i biznesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë.

/Shqip.com