Lajme

Politikanë, gjykatës e biznesmenë, pronarë të vilave të sekuestruara në Brezovicë

Aksioni Brezovica

Lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, në këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të tria niveleve të gjyqësorit.

Të tretë fillimisht kanë blerë parcela në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar villa. Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit,  si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme.

Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili.

Agim Maliqi, ka konfirmuar se pronën, e cila është sekuestruar, e ka blerë në vitin 2016 bashkë me dy gjykatësit e tjerë, Mustafë Tahiri dhe Bashkim Hyseni, ndërsa për leje të ndërtimit të villës ka aplikuar vitin a kaluar.

“Lejen e kom marrë vitin e kalum. Ndërtimin e kam nis afërsisht në nëntor… Këtë vit kom vazhdu dikun, mos gabofsha, prill-maj qaty dikun”, ka thënë Maliqi.

“Betimi për Drejtësi” ka pyetur gjykatësin Maliqi se pse kjo villë nuk figuron në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion. Sipas tij, ai ka deklaruar se vitin e kaluar nuk ka pasur objekt por vetëm themel, ndërsa villa do të deklarohet për këtë vit.

Maliqi ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se në atë pjesë ndalohen ndërtimet dhe se u takon organeve që kanë lëshuar lejet që ta verifikojnë këtë çështje.

I pyetur se si i komenton zhvillimet në aksionet e Prokurorisë në sekuestrimet që po ndodhin në Brezovicë dhe pretendimet se shumë prej lejeve janë marrë përmes ryshfetit, gjykatësi Maliqi ka thënë se kjo është punë e Prokurorisë që të vërtetojë nëse kanë ndodhur këto veprime.

“Në qoftë se e vërtetojnë ata (prokuroria), duhet me na akuzu neve penalisht me na ndjek, s’kom çka me fol aty unë, unë kom apliku si çdo qytetar me dokumentacion të rregullt me ato leje urbanistike… Edhe me fol të drejtën unë fortë edhe s’jom marr me atë punë se arkitekt e kom një të afërm temin, ai na ka bo planin e ato krejt a po më kupton, aty nëse vërtetohet se ka ryshfet atëherë duhet me më ndjek penalisht mu”, ka thënë Maliqi.

Tuje, Maliqi ka thënë se as sot nuk e dinë në cilën zonë e ka shtëpinë në Ferizaj dhe se për këtë përgjegjësi kanë organet komunale.

“Tash s’po bisedojmë si gjyqtar e si prokuror, unë si qytetar aty kom ndërtu. Tek e fundit ato zona edhe vet prokuroria ka pas problem me i identifiku deri sa kanë dal me aparatin e GPS-ave. Tek e fundit unë kom apliku e kom paraqit parcelën, në cilën parcelë, në cilin vend, çfarë sipërfaqe, tash unë s’jom i obligum me i ditë ato zona, tek e fundit se di shpinë ku e kom në zonë në Ferizaj, a aty qe 50 vite jetoj aty, unë se di tash në cilën zonë jom”, ka deklaruar ai.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me Bashkim Hysenin, i cili poashtu ka konfirmuar se ka blerë pronën dhe ka ndërtuar villën në Brezovicë.

“Toka u ble dikun 2016, lejen e kena marrë 2018 edhe 2019 qaty ka fillu… Në procedurë të rregullt kena apliku, organet kompetente e kanë lëshu, me gjithë dokumentacionin çka është dashtë”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni nëse ndërtimi në këtë zonë ndalohet, pasi ka ndjekur procedurat ligjore tek organet kompetente.

“Nuk e kom ditë ato pjesë me zona qysh janë, gjeodet nuk jam… Unë kom ble pronë aty kam pas bindje që lejohet aty për shkak se ka pas ndërtime 10 vjet e 15 vjet para neve”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa, Tahiri ka konfirmuar njëjtë se ka blerë pronën dhe ka filluar ndërtimin e villës, të cilën ende nuk e ka përfunduar. Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se në këtë zonë nuk lejohet ndërtimi, pasi ka aplikuar në mënyrë të rregullt për leje ndërtimi, të cilën e ka marrë nga Komuna e Shtërpcës.

Sipas prokurorit Rasim Maloku, i cili kohë më parë ishte deklaruar në media, shumica e këtyre objekteve janë ndërtuar, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zone.

Maloku ka njoftuar se pronarët që kanë blerë villa apo kanë ndërtuar, duke mos u përfshirë në vepra penale, nuk do të hetohen dhe ndiqen penalisht, por atyre vetëm do t’iu sekuestrohen pronat

Por, të gjithë këta persona, do të kenë mundësinë ligjore që të ndjekin rrugët në procedurë civile për kompensim të dëmeve që iu shkaktohen, ndërsa për villat, sipas Malokut, do të bëhet kërkesë për rrënimin e tyre, në mënyrë që zona të kthehet ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Ndër politikanët që figurojnë në listë janë Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i bizesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë.

/Shqip.com