Lajme

Haradinaj: Marrëveshjet e natës nuk e di nëse sjellin dobi për vendin

Gjatë mbrëmjes së djeshme, natën vonë i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Lajçak u shpreh se u dakorduan me Kurtin që të zbatojnë marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Për këtë takim ka reaguar Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lexo edhe:
Lajçak zhvillon takim me Kurtin

Ai ka thënë se marrëveshjet e natës nuk i sjellin dobi vendit.

“Shpresoj që Albini do e sqarojë opinonin në Kosovë për darkën e zhvilluar mbrëmë në orët e vona se për çka u dakorduan! A janë pajtuar për zbatimin e atyre marrëveshjeve që i kundërshtoi deri sa erdhi në pushtet!?Është e padrejtë që opinioni të informohet nga negociatori e jo nga Albini. Marrëveshjet e natës nuk e di nëse sjellin dobi për vendin. Shpresoj që ky mengjes do jetë reflektues për ty dhe për përgjegjësitë që i ke”, ka shkruar Haradinaj.

Në anën tjetër edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar edhe njëhërë Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e arritura.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price përmes një conference për media ka deklaruar se mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është që sa më shpejtë të fillojë procesi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Më 31 janar, Ambasada e SHBA-së do të organizojë një diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (ASM) në Kosovë.

/Shqip.com