Lajme

(FOTO) Gjini i dërgon letër Nagavcit, kërkon që orët e humbura të mësimit të zëvendësohen gjatë ditëve të punës

Kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini gjatë ditës së djeshme i ka dërguar letër Ministres së Arsimit,Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Në këtë lëtër i pari i Gjakovës, ka kërkuar që orët e humbura të mësimit për shkak të grevës në arsim të kompensohen gjatë ditëve të punës dhe jo të pushimit.

“Ministria e Arsimit duhet ta ndryshojë vendimin për kompensimin e orëve të punës të humbura gjatë grevës. Orët e punës duhet të kompenzohen, por jo gjatë fundjavës dhe ditëve të pushimit. Fillimisht, fëmijët do të stërlodhen. Edhe familjet e tyre” ka thënë Gjini.

Gjini ka thënë se edhe për shkak të problemeve me energjinë elektrike kjo do të paraçet problem për shkollat dhe komunat.

“Së dyti, për shkak të pasigurisë që na pret si pasojë e krizës energjetike, shpenzimi i energjisë do të jetë shumë më i lartë dhe me rrezik të pamundësisë për t’i ngrohur shkollat. Edhe bartja e nxënësve, që është obligim ligjor i yni, do të jetë më e vështirë për shkak të çmimit të karburantit. Prandaj orët duhet kompenzuar gjatë ditëve të punës, pesë orë shtesë në javë për çdo klasë dhe nxënës deri në kompensimin e plotë” ka thënë Gjini.

Letra e Ardian Gjinit drejtuar Arberie Nagavcit

Lidhur më këtë letër dërguar Nagavcit, Gjini thotë se nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka vendosur që orët e humbura për shkak të grevës të zëvendësohen në muajt tetor, nëntor, dhjetor dhe janar.

Por ky vendim nga ana e MASHT-it nuk po pranohet nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit.

Luljeta Boshnjaku nga SBASHK-u në një prononcim për Shqip.com ka deklaruar se orët e humbura për shkak të grevës përkundër vendimit nga Ministria nuk do të zëvendësohen.

“Orët e humbura nuk zëvendësohen sepse nuk ka marrëveshje” ka thënë Boshnjaku për Shqip.com

Në kontratën kolektive midis MASHTI-it dhe SBASHK-ut thuhet se zëvendësimi i orëve të humbura bëhet me marrëveshje midis dy palëve.

Neni 35 i Kontratës Kolektive

Në fund është bërë e ditur se, zbatimin e këtij vendimi do ta mbikëqyrë Inspektorati i arsimit.

/Shqip.com