Flet babai i nxënësit që u plagos: Më pyeti a kanë shpëtuar, u desh t’i them se jetojnë në parajsë

Afrim Turkaj, babai i nxënësit i cili mbet i plagosur në vrasjen që ndodhi të premten mbrëma në Gllogjan, ka bërë një postim prekës për djalin e tij dhe dy bashkëmoshatarët e tij që ndërruan jetë në këtë rast tragjik.
Ai ka njoftuar se djali i tij është zgjuar, por që atij i ka dhënë lajmin e kobshëm për vdekjen e shokut dhe shoqes së tij, teksa u ka shprehur ngushëllime familjeve të personave që vdiqën gjatë këtij sulmi me armë.
“Sot djali im u zgjua, por pa shoqen e shokët e tij që ishte ulur në autobus me ta. Më pyeti a kanë shpëtuar, u desh ti them se ata jetojnë në parajsë” ka shkruar Turkaj.
Nxënësi i plagosur është duke u trajtuar në Spitalin e Pejës, aty ku të premten mbrëma është operuar dhe i është larguar plumbi nga trupi. Gjendja e tij shëndetësore tani është stabile.

Mbrëmjen e së premtes në fshatin Gllogjan të Deçanit, një person ka shtënë me armë zjarri drejt një autobusi, ku kanë mbetur të vdekur shoferi dhe dy nxënës, kurse një tjetër është plagosur.
Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet që vrasja është kryer me kallashnikov “AK-47”, teksa rasti është duke u hetuar si “vrasje e rëndë”.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion rreth këtij rasti të bashkëpunojnë me institucionet relevante./SHQIP.com