Lajme

Fillon rinumërimi i rreth 500 vendvotimeve për Kuvende Komunale

Ilustrim

Ka filluar rinumërimi i rreth 500  vendvotimeve që u takojnë zgjedhjeve për Kuvende Komunale të 17 tetorit.

Rinumërimi i tyre po bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Lexo edhe:
Vendoset për rinumërimin e rreth 500 vendvotimeve

Vendimi për të numëruar edhe njëherë këto vendvotime është marrë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas më shumë se 350 ankesave të paraqitura në këtë institucion nga kandidatët për Kuvende Komunale kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë se rinumërimi do të vazhdojë deri në mesnatë, për të vazhduar më pas mëngjesin e së martës.

“Besojmë se brenda disa ditësh do të kryhet rinumërimi i këtyre vendvotime, ku më pas rezultatet që dalin nga ky rinumërim do të paraqiten në rezultate që i certifikon KQZ-ja”, ka deklaruar Elezi para mediave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Nga ky numër i vendvotimeve që do të rinumërohen, rreth 450 janë vendvotime të rregullta, ndërsa janë përfshirë edhe dengje të votave me kusht dhe atyre me postë.

Bëhet fjalë për 10 dengje të votave me kusht nga Mitrovica e Jugut dhe tetë për Podujevë, si dhe disa dengje të votave nga jashtë Kosovës që u takojnë komunave Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë dhe Prizren./SHQIP.com