Lajme

Fillon patrullimi i rregullt i vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë si dhe hapësirës së Ujmanit

Ka filluar patrullimi i rregullt të vijës kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë si dhe gjithë hapësirën në Liqenin e Ujmanit.

Përmes një njoftimi për media nga ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se kufiri shtetëror është më i plotë.

“Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit. Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë”, shkroi Sveçla.

Ai tha se e përgëzon Policinë e Kosovës për suksesin e radhës.

Kujtojmë se para një muaji, Policia e Kosovës ishte sulmuar në Liqenin e Ujmanit.

Nga Policia është bërë e ditur se është gjuajtur dhjetë herë me armë zjarri në drejtim të tyre.

“Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, thuhet më tutje në njoftimin e PK.

Në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka vizituar pikën kufitare në Bërnjak dhe stacionin policor të policisë kufitare.

Sveçla theksoi se është takuar me disa nga zyrtarët policorë, të cilat janë ballafaquar me sulme nga strukturat ilegale serbe.

Ai tha se që nga viti i kaluar e deri më tani në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej kanë qenë ndaj zyrtarëve policor.

Kurse, shefi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark tha se ky sulm është i rrezikshëm dhe akt kriminal i cili duhet të ndërpritet menjëherë./Shqip.com