Lajme

Sveçla viziton policët që u sulmuan në Liqenin e Ujmanit: Pashë vendosmëri dhe entuziazëm

Ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka vizituar pikën kufitare në Bërnjak dhe stacionin policor të policisë kufitare.

Sveçla theksoi se është takuar me disa nga zyrtarët policorë, të cilat janë ballafaquar me sulme nga strukturat ilegale serbe.

“Sot isha për vizitë në pikën kufitare në Bërnjak dhe në stacionin policor të policisë kufitare. Me këtë rast, takova disa nga zyrtarët policor të cilët janë ballafaquar me sulme të shumta nga strukturat ilegale serbe në mbrëmjen e 31 korrikut si dhe zyrtarë të tjerë policor që po angazhohen në mbrojtje të kufirit tone. Sic kemi njoftuar, zyrtarët e kësaj pike kufitare janë sulmuar përsëri dje derisa po patrullonin në liqenin e Ujmanit”, ka shkruar Sveçla.

Sveçla ka thënë se që nga viti i kaluar e deri më tani në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej kanë qenë ndaj zyrtarëve policor.

“Që nga viti i kaluar deri më tash në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej të cilave kanë qenë ndaj zyrtarëve policor. Përkundër të gjitha sfidave me të cilat po ballafaqohemi tek të gjithë zyrtarët policor pashë një vendosmëri dhe entuziazëm që në plotni të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre zyrtare. Me këtë rast, i falënderova ata për zellin e treguar deri tani dhe i inkurajova që së bashku të punojmë drejt shtrirjes së plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë zonë”.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla duke vizituar pikën kufitare në Bërnjak dhe stacionin policor të policisë kufitare

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe gjithë Qeveria e Kosovës do të jenë me qytetarët dhe me institucionet e vendit me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies të secilit veç e veç dhe të gjithëve së bashku”, shtoi ai.

Theksojmë se më 6 gusht, Policia e Kosovës është sulmuar sërish me armë zjarri, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka vizituar stacionin policor të policisë kufitare.
Lexo edhe:
Policia e Kosovës sulmohet me armë në Liqenin e Ujmanit

Kështu është bërë e ditur në komunikatën për media e lëshuar nga ana e Policisë së Kosovës.

Pjestarët e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit Zubin Potok, të shtunën rreth orës 11:00 ndërsa po vendosnin një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit janë sulmuar me armë zjarri.

Komunikata bënë të ditur se nga këto shtëna fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.

“Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër EULEX-i ka bërë të ditur se do t’i shtojë patrullimet në veri të Kosovës.

Lexo edhe:
EULEX-i shton patrullimet në veri pas sulmit ndaj Policisë në Liqenin e Ujmanit

Shefi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark tha se ky sulm është i rrezikshëm dhe akt kriminal i cili duhet të ndërpritet menjëherë./Shqip.com