FFK merr licencën për përdorimin e sistemit “VAR”

Para nisjes së ndeshjes së Superkupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Llapit, Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar për implementimin e sistemit “VAR”, shkruan Shqip.com.
VAR-i është risi në futbollin vendor, derisa njohës të këtij sporti kanë thënë se do të largoj dyshimet e mëdha.
Në një prononcim para mediave, në prag të implementimit të sistemit “VAR”, kryetari i FFK-së, Agim Ademi është shprehur i kënaqur që ideja e tij po nis së përdoruri edhe në futbollin kosovar.
“Është i pari në Ballkan. Sot e kemi licensën nga FIFA për VAR. Nëntë operatorë dhe 53 gjyqtarë janë licensuar. Janë organizuar 53 ndeshje deri më tani ku është testuar ky sistem. Ky është projekti më i madh i FFK-së. Në tetë stadiume është intervenuar në mënyrë që VAR-i të jetë i zbatueshëm”, ka thënë Ademi.
Sistemi “VAR” për herë të parë në vend është duke u përdorur në ndeshjen e Superkupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Llapit.
Ndërsa, do të vazhdoj të përdoret edhe në ndeshjet tjera të Superligës së Kosovës./Shqip.com