Kulturë

Festivalet e rritën ekonominë dhe numrin e vizitorëve

Lajmi me Audio

Rolin e “Ambasadorit” të Kosovës në botë gjatë vitit 2022 e morën ngjarjet kulturore në vend.

“Sunny Hill”, “Manifesta 14”, “PriFest”, “BeerFest”, “HardhFest”, e festivale të tjera, u rikthyen me një numër të madh të vizitorëve pas pandemisë dyvjeçare.

Bienalja Nomade Evropiane “Manifesta 14”, me një program prej 100-ditësh, ka arritur ta fusë Kosovën në hartën e ngjarjeve më të mëdha kulturore në Evropë.

Manifesta 14

“Manifesta 14”, është festivali që për herë të parë erdhi në Prishtinë, duke shndërruar 25 lokacione, të cilat ishin të harruara nga Komuna e Prishtinës, në vendet më të vizituara të kryeqytetit.

Përgjatë 100 ditëve të “Manifesta 14” në Prishtinë, qytetarët kishin mundësinë të shijojnë artin e artistëve vendor e të huaj, si dhe programe të ndryshme artistike për të gjitha moshat.

MKRS: 752 mijë vizita në të gjitha lokacionet e bienales “Manifesta 14”

“Manifesta 14” e ktheu kryeqytetin në një qendër kulturore në Evropë dhe në botë. Lokacionet në hapësira të mbyllura kanë pasur 140 mijë vizita, kurse 612 mijë vizita janë zhvilluar në intervenimet artistike publike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit për Shqip.com.

Manifesta 14

Manifesta ka marrë vëmendjen e veçantë të mediave ndërkombëtare. Prestigjiozja “The Guardian”, e renditi ekspozitën e “Marubit” mes galerive më mbresëlënëse të Evropës.

Zhurma për organizimin e “Sunny Hill” dhe mbajtja e tij edhe në Tiranë

“Sunny Hill”, nisi më 4 dhe qëndroi i hapur deri më 8 gusht.

Por, ndryshe nga vitet e kaluara, organizimi i tij në vitin 2022 u përcoll me telashe; “Dështoi Sunny Hill në Prishtinë”, “Zhvendoset “Sunny Hill” në Tiranë”, “Shtyhet “Sunny Hill”,  “Arsyeja e zhvendosjes në Tiranë- neglizhencë e Qeverisë”, “Largimi i Sunny Hill do ta dëmtojë imazhin dhe ekonominë e vendit”, ishin titujt e mediumeve, pasi organizatori Dukagjin Lipa, deklaroi se është anuluar mbajtja e festivalit më prestigjioz të muzikës në rajon.

Lipa tha se kjo ka ndodhur pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk i ka kthyer përgjigje definitive organizatorëve.

Palët kanë qenë në diskutim të dhënies në shfrytëzim të një parcele prej 17 hektarësh për 99 vjet, në fshatin Bërnicë e Poshtme.

Kurse, ministria, kishte thënë se nuk e ka anuluar apo rikthyer në shqyrtim vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjate të pronës komunale në shfrytëzim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë, të cilat sipas tyre kanë munguar.

Më pas palët shprehën gatishmërinë “që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës, të diskutohet edhe pak kohë, deri në gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme”.

Pas krejt kësaj, u vendos që “Sunny Hill”, të mbahet në Prishtinë dhe në Tiranë.

“Sunny Hill” arriti të shesë mbi 25 mijë bileta

“Edicioni i tretë i “Sunny Hill Festival” solli mbi 40 artistë vendorë e ndërkombëtarë. “Sunny Hill” ka sjell në Kosovë si pjesë të audiencës edhe qindra të rinj nga mbanë bota, derisa në këtë edicion u shitën mbi 25 mijë bileta”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për Shqip.com.

Imazhin kulturor të Kosovës, e ngritën në piedestal edhe filmat dhe ngjarjet dedikuar kinematografisë.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest”, në edicionin e 14-të, shfaqi 39 filma të metrazheve të ndryshme.

Ndërkaq, sipas MKRS-së, ka grumbulluar rreth 10 mijë shikues.

Ky festival u realizua pa regjisoren dhe producenten e njohur Vjosa Berisha, humbja e se cilës la gjurmë në kulturën e vendit.

I tërë edicioni i 14-të iu dedikua asaj, me sloganin “Për të”.

Të hyrat e vendit tejkaluan milionat, nga festivalet

Mbajtja e këtyre festivaleve përveç që ndikoi në reputacionin e vendit, ndikoi edhe në rritjen e ekonomisë,

Sipas ekonomistit Lulzim Beqiri, festivalet i kanë sjellë të hyra të mira vendit.

“Duke ditur rëndësinë edhe kulturore, edhe ekonomike të festivaleve, mendoj se Kosovës i kanë sjell edhe të hyra të mira që tejkalojnë miliona euro”, tha ai.

Ai tha se festivalet e tilla gjallërojnë ekonomin e Kosovës, i japin një shtytje të mirë ekonomike, rriten të hyrat në gastronomi, transport hotele e bujtina të ndryshme.

Rritet numri i vizitorëve në hotele për 25 për qind

Nga periudha qershor-tetor 2022, numri i vizitorëve ishte në rreth 200 mijë.

Drejtori i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysni Sogojeva, tha për Shqip.com se numri i vizitorëve ka kaluar një shifër rreth 200 mijë, derisa pjesa më e madhe e pushuesve zgjodhën qëndrimin në Prishtinë.

“Diku 25 për qind të numrit të vizitorëve është rritur ky vit. Nëse e krahasojmë vitin 2021 dhe 2022, sipas statistikave del që ka rritje të turistëve”, tha Sogojeva.

Sipas ASK-së, gjatë muajit korrik 2022, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 53.820, prej tyre 28.64 % ishin vendorë dhe 71.36 % ishin të jashtëm.

Kurse, gjatë muajit gusht, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 60 952, prej tyre 29.50% ishin vendorë dhe 70.50 % të jashtëm.

Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Pejë, Prizren e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Gjermania, Shqipëri dhe Zvicra.

/Shqip.com