Lajme

Osmani nuk pranon të flasë për ofendimet e bashkëshortit të saj nga gazetarëve

Vjosa Osmani dhe Prindon Sadriu.
Vjosa Osmani dhe Prindon Sadriu.

Presidentja Vjosa Osmani, ka refuzuar të flasë lidhur me deklaratat e bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, për gazetarët në Kosovë të cilët mes tjerash i ka quajtur “përfaqësues të ndërmarrjeve kriminale”.

Teksa është pyetur nga gazetarët për qëndrimin e saj lidhur me këto deklarata, ajo tha se është jo korrekte që të flitet për këtë çështje teksa ishte në takim me familjarët e dy aktivistëve të vrarë të Vetëvendosjes, Mon Balaj dhe Arben Xheladini.

“Jemi në takim ju kisha lut. Është tepër jo korrekte ndaj familjeve. Është tepër jo korrekte në raport me familjet. Komenti im është që jeni duke ofenduar familjet që janë këtu për momentin”, u shpreh presidentja Osmani.

Mes tjerash, tha se mediat i kanë lejuar të hyjnë në Presidencë për të marrë pamje nga takimi, ndonëse sipas saj, kishin shkuar pa paralajmërim, por shtoi se “gjëra të tillë janë ofendim për familjarët e aktivistëve”.

“Keni hyrë brenda për të marrë pamje edhe pse nuk keni paralajmëruar që do të vini, ne sërish ju lejuam. Ne je lejuam që të merrni pamje kurse në intervista të tjera flasim. Është ofendim në raport me familjarët që të bëni gjëra të tilla. Me të vërtet është ofendim”.

Ndërkohë, për postimin e bërë në Facebook më 8 shkurt, Prindon Sadriu, është arsyetuar duke thënë se “si baba dhe bashkëshort” nuk ka mundur të heshtë ndaj “sulmeve të vazhdueshmë të bazuara në të pavërteta dhe që synojnë baltosjen e imazhit” të presidentes./SHQIP.com