Lajme Botë

Erdogan kritikohet për deklaratat lidhur me shpërthimin në minierë

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, është kritikuar lidhur me komentet që ka bërë pas vdekjes së 41 minatorëve në një shpërthim në minierën e qymyrit në Turqi.

Siç raporton BBC, presidenti turk e lidhi ngjarjen me punë të fatit dhe tha se aksidente të tilla ndodhin kurdoherë.

“Ne jemi njerëz që besojmë në planin e fatit. Të tilla aksidente do të jenë kurdoherë, ne duhet ta dimë këtë gjithashtu”, tha Erdogan para gazetarëve.

Megjithatë, Erdogan shtoi se nuk donte të shihte mangësi apo rreziqe të panevojshme.

Udhëheqësi i opozitës Kemal Kiliçidaroglu kërkoi të dinte “në cilin shekull po jetojmë?”.

“Pse aksidentet e minave ndodhin vetëm në Turqi?” tha ai.

Komentet e Erdoganit shkaktuan protesta në Stamboll, me disa që e përshkruan aksidentin në Turqinë e veriut si “një masakër”.

Emin Koramaz, i cili kryeson Bashkimin e Dhomave të Inxhinierëve dhe Arkitektëve Turq, hodhi poshtë idenë se shpërthimi mund të përshkruhej si një aksident.

Përmes një postimi në Twitter, Koramaz pretendon se minatorët ishin dërguar “qindra metra nën tokë pa marrë masat paraprake të nevojshme, pa inspektim dhe pa krijuar kushte të sigurta”.

Shkaku zyrtar i shpërthimit nuk dihet ende. Autoritetet thanë se prokurorët turq kanë nisur një hetim në lidhje me shkakun e shpërthimit me gjetjet paraprake që sugjerojnë se ai ishte shkaktuar nga goditjet.

Të afërmit e të vdekurve pretendojnë se kanë qenë në gjendje të nuhasin gaz për më shumë se një javë.

Rritet numri i të vdekurve në minierën e qymyrit në Turqi – SHQIP.com

Familjet e zemëruara dyshojnë se gazi mund të ketë luajtur një rol.

Babai i një burri në fillim të të 20-ave i cili vdiq në shpërthim i tha Associated Press të Pakistanit se djali i tij kishte raportuar gjithashtu se kishte nuhatur gaz për 10 ditë.

Një grua e cila kishte humbur vëllain në këtë aksident, gjatë funeralit i tregoi Erdoganit se çfarë ai i kishte thënë.

“President, vëllai im e dinte, ai tha se kishte një rrjedhje gazi 10, 15 ditë më parë. Ai tha se do të shpërthejë së shpejti. Si ka mundësi që është neglizhuar?… Ai e dinte”.

Kur ndodhi shpërthimi, rreth 110 persona ishin brenda në minierë. Pothuajse, gjysma e këtyre personave ishin në më shumë se 300 metra thellësi.

Ndërsa, kur ndodhi incidenti 58 njerëz që punonin në minierë dolën apo shpëtuan vetë.

Miniera i përket ndërmarrjeve shtetërore turke të qymyrit të fortë.

Turqia ishte dëshmitare e katastrofës më vdekjeprurëse të minierave të qymyrit në vitin 2014, kur 301 vetë vdiqën pas një shpërthimi në qytetin perëndimor Soma.

/Shqip.com