Lajme

Edhe nxënësit e klasë së pestë tashmë gati për vitin e ri shkollor – Ministria ka gati tekstet mësimore

Tashmë nxënësit e klasës së pestë mund të pajisen me tekste shkollore, ashtu siç të gjithë nxënësit e tjerë.

Kjo pasi ministria e Arsimit ka gati tekstet e këtij cikli dhe tashmë ka filluar shpërndarjen në shkolla.

Drejtori i shkollës “Dardania”, Isak Bregaj për SHQIP.com ka thënë se librat i kanë pranuar të enjten.

“Po kanë ardhur librat të enjten dhe tashmë gjithçka është gati me filluar procesi mësimor. Është bërë shpërndarja”.

Në anën tjetër, Valdrin Dervishaj, këshilltar i ministrës Nagavci ka thënë se tashmë ka përfunduar cikli i hartimit dhe ato janë dorëzuar në Drejtorit Komunale të Arsimit.

“Librat e klasës së pestë janë dorëzuar në DKA (siç e kërkon udhëzimi administrativ) dhe DKA-të e kanë për obligim shpërndarjen e tyre në shkolla.  Siç e dini klasa e pestë e ka përmbyllur ciklin e hartimit të teksteve të reja”, tha Dervishaj për SHQIP.com

Tutje ai ka thënë se në rast se mësimdhënësit vërejnë ndonjë mungesë të teksteve mësimore ta lajmërojnë inspektoratin e Arsimit.

“Greva e ka vështirësuar shpërndarjen sepse në disa komuna edhe drejtoritë komunale kanë qenë në grevë. Në bazë të vlerësimit të marra nga mësimdhënësit, procesi i shpërndarjes këtë vit është më së miri i organizuar që nga koha kur ka filluar shpërndarja falas e teksteve shkollore dhe në rast se mësimdhënësit kanë raste ku mungon ndonjë tekst nga ato që i kanë porositur, ta lajmërojnë Inspektoratin e Arsimit dhe Ministrinë që të shmanget situata e tillë”, tha ai.

Lexo edhe:
Nuk mjaftojë greva – nxënësit po përballën edhe me mungesë të librave të klasës së pestë

Ndryshe, Shqip.com javë më parë ka raportuar se librat e klasës së pestë nuk janë shpërndarë bashkë më tekstet e cikleve tjera.

Kjo pasi Ministria e Arsimit ishte duke punuar në hartimin e tyre.

Kujtojmë që procesi mësimor do të fillojë nga data 3 tetor- pasi SBASHK-u ka vendosur që të pezullojë grevën deri në janar të vitit 2023./SHQIP.com