Lajme Arsimi në Kosovë tash e tri javë është në grevë dhe sipas MASHTI-t, për vetëm një javë janë rreth 580 mijë orë të humbura mësimore.

Nuk mjaftojë greva – nxënësit po përballën edhe me mungesë të librave të klasës së pestë

Zhvillimi i procesit mësimor nën masat anti-COVID

Nxënësit në Kosovë, përveç mungesës së fillimit të procesit mësimor janë duke u ballafaquar edhe me atë të librave.

Kjo pasi prindërit edhe pse vullnetarisht kanë shprehur kërkesën që të mbajnë mësimin për fëmijët e tyre, librat për klasën e pestë nuk janë shpërndarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Isak Bregaj, drejtori i shkollës “Dardania” në Prishtinë për SHQIP.com ka thënë se sipas informacioneve që ka librat për ketë nivel mungojnë në gjithë Kosovën.

“Në gjithë Kosovën mungojnë librat e klasës së pestë. Arsyeje nuk na kanë dhënë dhe nuk e di pse, deri të premten do të shpërndahen për klasë tjera”, ka treguar ai.

Ai ka thënë se nga kjo situatë nxënësit janë duke u dëmtuar shumë.

“Jemi duke i dhënë librat njëri që edhe nëse fillon procesi mësimor të jemi më të përgatitur dhe kjo me pas për neve është përparësi. Nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga prindërit deri me tani që më i marrë librat. Me të vërtetë është tmerr kjo gjendje, çka nuk është duke ndodhur me këtë popull, nuk e di, nuk e di hiq”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi

Ndërsa, Jeton Demi nga Këshilli i Prindërve ka thënë se nxënësit janë duke u dëmtuar shumë me këto greva të përsëritura.

Ai ka thënë se Këshilli ka vendosur që prindërit të fillojnë të punojnë me fëmijët e tyre përmes platformave digjitale në internet të ofruara nga MASHT, Youtube, eShkollori e të tjera.

“Nuk ka asnjë diskutim e hamendesim që nxënësit janë dëmtuar shumë dhe po zhvlerësohet tej mase kredibiliteti i arsimit publik në vend me këso greva të përsëritura. Prindërit të koordinohen dhe bashkëpunojnë me mësimdhënësit që duan të zhvillojnë mësim në distancë përmes platformave në internet për ta realizuar sa më mirë procesin mësimor”, ka thënë ai për SHQIP.com.

Por, pavarësisht kësaj, ai ka thënë se mungesa e librave është duke i kufizuar ata.

“Ne, si Këshill i Prindërve i Kosovës, kemi kërkuar që të bëhet shpërndarja e librave në gjithë Kosovën. Kemi informacion që qysh të hënën ka filluar shpërndarja e librave në Prishtinë dhe po vazhdon ende. Besojmë se nuk duhet asnjë shkollë t’ia kufizojë prindërve të drejtën t’i marrin librat dhe të punojnë vetëm me fëmijët “.

Demi ka shtuar se në shkolla janë informuar që mungojnë librat e klasave të pesta, pra nuk janë shpërndarë nga MASHT, dhe sipas tij duhet të këtë një sqarime nga Ministria e Arsimit.

SHQIP.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të MASHTI-it, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i ka bërë sërish thirrje Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që të ndërpresë grevën dhe t’i kthehet dialogut konstruktiv.

Ajo tha se për shtatë ditë të javës janë rreth 580 mijë orë të humbura mësimore.

“Deri të premten e javës së kaluar, kur ishin shtatë ditë të pa mbajtura të mësimit, mesatarisht janë diku rreth 580 mijë orë të humbura. Po besoj që pajtoheni se janë tepër shumë. Edhe për mua është tepër shqetësuese deklarimi me lehtësi se asnjë orë nuk do të zëvendësohet”.

Kujtojmë, se nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje qeveria ka ofruar nga 50 euro për 3 muaj. Shumë kjo e cila u refuzua nga grevistët./Shqip.com