Lajme

Dumoshi i reagon Hajdarit për aksidentin: Gënjeshtra në raste të tilla është mëkat

Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi, ka reaguar pas aksidentit të Ministres së Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke i thënë se gënjeshtra në raste të tilla është mëkat.

Dumoshi gjithashtu i është drejtuar edhe Policisë së Kosovës, duke iu thënë se viktima është vajzë e lindur në vitin 2012.

“Cili është shkaku që edhe gjinin nuk e tregoni drejt?”, ka shkruar ajo.

Ndërsa, Policia e Kosovës, e ka raportuar aksidentin që ka pësuar, Ministrja Hajdari, mirëpo nuk ka dhënë shumë detaje.

“E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Lexo edhe:
Policia e Kosovës raporton aksidentin e Ministres Hajdari: Viktima ka pranuar tretman mjekësor

Gjatë ditës së diele, Ministrja Rozeta Hajdari, ka bërë të ditur se gjatë ditës së diele ka pësuar një aksident trafiku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Hajdari përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se papritur në rrugë janë shfaqur dy fëmijë në vrapim dhe njëri nga ta është përplasur në veturën e saj.

“Sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqësisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time”, ka shkruar ajo./Shqip.com

Lexo edhe:
Aksidentohet Ministrja Hajdari: Një fëmijë u përplas në veturën time