Lajme

Aksidentohet Ministrja Hajdari: Një fëmijë u përplas në veturën time

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka bërë të ditur se gjatë ditës së diele ka pësuar një aksident trafiku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Hajdari përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se papritur në rrugë janë shfaqur dy fëmijë në vrapim dhe njëri nga ta është përplasur në veturën e saj.

“Sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqësisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time”, ka shkruar ajo.

Ministrja e Tregtisë ka thënë se me shqetësim menjëherë ka reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmiut dhe ka lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit.

Hajdari gjithashtu ka treguar se pas ekzaminimeve mjekësore, fëmiu nuk ka pësuar lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi./Shqip.com