DOKUMENTET/ Zbulohet skema offshore e Casinos tek Air Albania – Si u favorizua Bledar Sinani në shkelje të hapur me ligjin
Një skemë e dyshuar për mënyrën se si është siguruar kapitali për licencën e kazinosë në kullën “Air Albania” është denoncuar nga Partia Demokratike, e cila pretendon se përmes rivlerësimit të një prone dhe ndryshimit të aksionerëve është anashkaluar ligji dhe janë favorizuar interesa të caktuara, konkretisht ato të Bledar Sinanit.
Sipas denoncimit, licenca për ushtrimin e aktivitetit të kazinosë është dhënë për shoqërinë “Space +”, e cila fillimisht kishte si aksionerë ALB-STAR me 99% dhe kompaninë çeke W-CZ Holding s.r.o. me 1%.
Ligji kërkon që një subjekt që aplikon për licencë kazinoje të ketë një kapital minimal prej 1.2 miliardë lekësh. Sipas PD-së, ky kusht nuk është plotësuar me kapital monetar, por përmes një toke të futur si kontribut në natyrë nga ALB-STAR, praktikë që ligji e lejon.
Më pas, edhe pse kompania “Space +”rezultonte fitimprurëse gjatë viteve 2023-2024, aksionet e ALB-STAR iu shitën shoqërisë GLG INVESTMENT. Sipas dokumenteve të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, marrëveshja për shitjen e aksioneve është firmosur në gusht 2025, ndërsa më pas janë kërkuar miratimet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dhe Autoriteti i Konkurrencës.
Denoncimi ngre pikëpyetje mbi faktin se në dokumentacionin e depozituar nuk rezulton një çmim i përcaktuar për transaksionin ose nuk është depozituar marrëveshja e plotë.
Një nga elementët kryesorë të skemës së denoncuar lidhet me zëvendësimin e kapitalit të shoqërisë.
Sipas pretendimeve, pas miratimit të AMLF-së, toka e ALB-STAR është zëvendësuar me një tjetër pasuri në pronësi të GLG INVESTMENT, një sipërfaqe pyjore prej 275.550 metrash katrorë në zonën e Draçit, Durrës.
Sipas dokumentacionit të cituar në denoncim, kjo pronë ishte blerë nga GLG INVESTMENTmë 9 prill 2025 për 32.239.350 lekë, ose rreth 117 lekë për metër katror, çmim që sipas pretendimeve përputhej me referencën zyrtare të zonës.
Megjithatë, vetëm pak muaj më vonë, përmes një raporti vlerësimi të ekspertit, e njëjta pronë u vlerësua në 2.556.732.008 lekë, rreth 26 milionë euro, dhe kjo vlerë u përdor për rritjen e kapitalit të kompanisë.
Sipas denoncimit, rivlerësimi nuk është shoqëruar me rivlerësim fiskal në hipotekë apo pagesën e detyrimeve tatimore, por është përdorur si bazë për të plotësuar kriterin ligjor të kapitalit që kërkohet për mbajtjen e licencës së kazinosë.
PD pretendon se kjo përbën thelbin e skemës: një pronë e blerë për rreth 320 mijë euro është rivlerësuar brenda pak muajsh në rreth 26 milionë euro, duke shërbyer si kapital për kompaninë që mori kontrollin e licencës.
Sipas denoncimit, hetimet e kryera nga opozita kanë konstatuar gjithashtu se prona është pjesë e një zinxhiri transaksionesh që burojnë nga një vendim kthimi prone në zonën e Kepit të Rodonit, ku sipërfaqja fillestare është fragmentuar në disa prona dhe është transferuar përmes kontratave të shitblerjes me të njëjtin çmim reference.
Një tjetër element i skemës lidhet me faktin se në kartelën e kësaj prone rezulton e regjistruar edhe një kontratë sipërmarrjeje me shoqërinë Premium Finance Invest, e cila sipas denoncimit ka lidhje indirekte me biznesmenin Bledar Sinani.
Sipas PD-së, në këtë mënyrë është realizuar kalimi i aksioneve të “Space +” nga ALB-STAR te GLG INVESTMENT, ndërsa institucionet përgjegjëse, përfshirë AMLF-në, Autoritetin e Konkurrencës dhe institucionet përgjegjëse për kontrollin e pastrimit të parave, kanë miratuar procedurat pa evidentuar shkelje.
Materiali, sipas opozitës, do t’i referohet SPAK-ut për verifikimin e të gjitha pretendimeve dhe dokumentacionit që, sipas saj, mbështet skemën e denoncuar.
/Shqip.com