Lajme

Dërguti: Për keqpërdorim të emrit tim e kam paraqitur rastin në Polici

Ish kryeprokurori i Apelit - Haxhi Dërguti

Ish- kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti thotë të ketë raportuar në Polici të Kosovës pretendimet për keqpërdorim të emrin të tij me qëllim të përfitimit të parave.

Në një përgjigje përmes telefonit, ai ka thënë shkurtimisht për Shqip.com se “po e kam raportuar”.

Megjithatë, nuk ka dhënë më tepër detaje nëse kjo është bërë menjëherë pas takimit të zhvilluar me biznesmenin Sali Dakaj, i cili e njofton se në emër të tij u kishte dhënë dy personave të tjerë 150 mijë euro, me qëllim të ushtrimit të ndikimit në procesin gjyqësor.

Tutje, Dërguti mohon të ketë bërë premtime për ndihmës, ani se faktet e shpalosura nga Kallxo.com tregojnë të kundërtën.

“Unë nuk kam të bëjë asgjë me atë çështje, ky është mendimi im. Ajo ka qenë bisedë midis miqve, unë i kom thanë e shikojmë këtë punë, asnjë premtim se kom bo” ka thënë Dërguti.

Në bazë të një hulumtimi mbi 2 vjeçar të KALLXO.com është zbardhur kjo aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në këto takime Dërguti, ish-kryeprokurori i Apelit, premton se do t’i takojë e të flasë me gjyqtarët që vendimet e tyre të jenë në favor të biznesmenit Sali Dakaj, raporton KALLXO.com.

Në anën tjetër, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar arrestimin e ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti. “Haxhi Dërguti ish kryeprokuror i Apelit dhe gjyqtarët por edhe secili person i përfshirë në skandalin e publikuar sot nga kallxo.com, duhet të arrestohen menjëherë.

Lexo edhe:
Haxhiu kërkon arrestimin e ish-kryeprokurorit Dërguti

Kjo nuk është hera e parë që Haxhi Dërguti dyshohet se keqpërdori detyrën zyrtare.

Në një hulumtim të Shqip.com, Haxhi Dëguti punësoi disa familjarë të tij në KEDS.

Ai mban rekordin e familjarëve të punësuar në KEDS.

Ai ka punësuar djalin, Hajdinin, nusen e djalit, Alisa Manaj-Dërguti, dy dajë – Fidan e Bledar Dushi dhe një djalë të baxhanakut, Arbnor Morina.

/Shqip.com