Lajme

Haxhiu kërkon arrestimin e ish-kryeprokurorit Dërguti

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar arrestimin e ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti.

“Haxhi Dërguti ish kryeprokuror i Apelit dhe gjyqtarët por edhe secili person i përfshirë në skandalin e publikuar sot nga kallxo.com, duhet të arrestohen menjëherë. Fenomenet që kanë qenë të njohura prej kohësh, sot po i shohim e dëgjojmë” ka shkruar Haxhiu.

Sipas Haxhiut, Dërguti , pavarësisht që sot është avokat, ndikimet e paligjshme të tij jam e bindur që vazhdojnë ende për shkak të shumë njerëzve që i ka brenda sistemit të drejtësisë që hapin e mbyllin lëndë me para!

Në bazë të një hulumtimi mbi 2 vjeçar të KALLXO.com është zbardhur një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.

Video 2 orëshe e shumë video incizime nga takime të shumta tregojnë se si njerëzit e politikës dhe ata të drejtësisë bëhen bashkë për të ndikuar në vendimet e gjyqtarëve.

Kjo nuk është hera e parë që Haxhi Dërguti dyshohet se keqpërdori detyrën zyrtare. Në një hulumtim të Shqip.com, Haxhi Dëguti punësoi disa familjarë të tij në KEDS.

Ai mban rekordin e familjarëve të punësuar në KEDS. Ai ka punësuar djalin, Hajdinin, nusen e djalit, Alisa Manaj-Dërguti, dy dajë – Fidan e Bledar Dushi dhe një djalë të baxhanakut, Arbnor Morina.

Në këto takime Haxhi Dërguti, ish-kryeprokurori i Apelit, premton se do t’i takojë e të flasë me gjyqtarët që vendimet e tyre të jenë në favor të biznesmenit Sali Dakaj, raporton KALLXO.com.

Lidhur me punësimet e familjarëve të tij në KEDS, Dërguti kur u kontaktua nga ekipi hulumtues i Shqip.com , nuk e pranoi se ka familjarë të punësuar, derisa iu përmendën emrat.

Me këtë rast, ai nisi t’i justifikojë punësimet.

“Kërkon se kam të punësuar unë aty”, ka thënë Dërguti fillimisht për Shqip.com, por që pak minuta më vonë tha se e ka vetëm djalin.

“Veç djalin e kam”.

Por, pasi u pyet se çfarë lidhje familjare ka me Fidan e Bledar Dushin, që janë të punësuar njëri shef i logjistikës, e tjetri koordinator i lidhjeve, filloi shpalosjen.

Edhe djali i baxhanakut të Dërgutit, është i punësuar dhe mban pozitën e juristit në Zyrën Ligjore në degën e Pejës.

Për këtë rast, Dërguti siç dëgjohet në bisedën telefonike me Shqip.com, thotë se “Arbnori ka filluar si praktikant, por se edhe reja e tij, Alisa Manaj “veç praktikën e ka kryer”.

“Pasha Zoti, Arbnorin a! Ai m’doket praktikant ka shku, sa e di unë në Pejë është”.

“Alisa Manaj s’punon atu në KEDS. Është reja jem, u kanë, veç praktiken e ka kry”.

Se ky punësim (nuk) është i ndikuar nga ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, përveç tij, e thotë edhe i biri – Hajdini, që vazhdon të punojë në zyrën ligjore në Prishtinë.

/Shqip.com