Lajme

Departamenti Amerikan i Shtetit i kërkon Kosovës që të lejojnë referendumin serb

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas takimit mes ambasadorëve të shtetit të QUINT-it me krerët shtetëror të Kosovës ku biseduan për çështjen e mbajtjes së referendumit të Serbisë.

DASH ka ripublikuar komunikatën e lëshuar nga QUINT-i, ku thuhet se mbështetet referendumi dhe bëhet thirrje që të votojnë të gjithë qytetarët serbë, përcjell Shqip.com.

Më tej, DASH i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e këtij referendumi.

“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në komunikatën e DASH-it.

Takimi mes ambasadorëve të shtetit të QUINT-it me krerët shtetërorë të Kosovës

Krerët shtetërorë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca të premtën pasdite kanë pritur në takim ambasadorët e shteteve të QUNT-it dhe ata të Bashkimit Evropian.

Pas takimit, krerët shtetërore kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku thuhet se Kosova nuk është zbrapsur nga qëndrimi për mos lejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovës.

“Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Ndërkaq, kryeministri Kurti para mediave ka deklaruar se do të thërret seancë të jashtëzakonshme për datën 15 janar në ora 14.00./Shqip.com