Lajme

Krerët shtetërorë nuk tërhiqen: Referendumi serb është shkelje e integritetit territorial

Presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca

Krerët shtetërorë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurtid he kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUNT-it dhe atë të Bashkimit Evropian.

Në deklaratë thuhet se Kosova nuk është zbrapsur nga qëndrimi për mos lejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovës.

“Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Takimi mes ambasadorëve të shtetit të QUINT-it me krerët shtetërorë të Kosovës

Më tej, theksohet se institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, “meqë pavarësia e Kosovës jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja”.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021”, thuhet më tej në deklaratën e përbashkët.

Në fund kanë theksuar se “institucionet e Kosovës mbesin falënderuese ndaj shteteve të Quint-it dhe të gjitha shteteve të tjera demokratike që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe shprehin mirënjohjen që edhe sot në takim u rikonfirmua mbështetja e tyre ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë”./Shqip.com