Denoncimi në media/ Paulini i “Gega Oil” u regjistrua nga SHISH duke nxjerrë çanta me euro në kufi. Oligarku i naftës “gllabëron” 20 mln euro tendera nga shteti, i akuzuar për skemë mashtrimi e vjedhje
Në vitin 2018, Shërbimi Informativ Shtetëror monitoroi dhe regjistroi biznesmenin e naftës, Paulin Gega, i cili kalonte çanta me euro, duke mos i deklaruar në kufi. Shërbimi sekret ka konstatuar një numër të madh hyrje-daljeve nga territori i Shqipërisë të Paulin Gegës, duke kaluar shuma të mëdha parash. Gega lëvizte paratë e pista në bashkëpunim me mikun e tij Gëzim Aliaj dhe dyshohet në koordinim me punonjës të pikës kufitare të Hanit të Hotit.
SHISH ka referuar materialin në Prokuroinë e Shkodrës, e cila ka nisur hetimet ndaj Paulin Gegës për pastrim parash dhe mosdeklarim në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë. Për të dokumentuar aktivitetin e tij kriminal, Prokuroria vendosi nën përgjim Paulin Gegën, i cili ditët e para bënte biseda me persona të ndryshëm për lëvizje të shumave të mëdha parash.
Befas biznesmeni ndërpreu komunikimet në telefon për para dhe çdo aktivitet që mund t’a implikonte penalisht. Burime nga SHISH thanë se bosi i karburanteve Gega Oil, Paulin Gega, është lajmëruar se po përgjohej sapo dosja e tij është referuar në Prokurori. Materialet e referuara nga SHISH ishin një indicie e fortë që mund të tregonte për veprimtarinë e një grupi kriminal.
Prokurorja e çështjes ishte Shqiponja Milla, e cila pas një viti ‘hetime’, kërkoi mbylljen e çështjes për Paulin Gegën. Kërkesa u miratua nga gjyqtari Sokol Shehu.
Skemë mashtrimi, si e mbylli dosjen
Në kohën kur SHISH e vëzhgonte për transport dhe pastrim parash të pista, Paulin Gega, sipas policisë, po zbatonte një skemë mashtrimi me karburantet, e cila konsistonte në fshehjen e të ardhurave.
Paulin Gega u shpall në kërkim policor në gusht të vitit 2019, për disa vepra penale, si; “Fshehja e të ardhurave”, “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Edhe këtë herë, Gega ishte lajmëruar në kohë se do arrestohej. Biznesmeni u larguar nga Shqipëria para se të dilte urdhër-arresti.
Pas këtij aksioni dhe veprimi të prokurorisë, dyshohet se nisi një histori e re korrupsioni. Fillimisht u zhbë urdhri për shpalljen në kërkim policor të Paulin Gegës. Gjatë ditëve në arrati, Gega duket se gjeti lidhjet e duhura me prokurorin e çështjes dhe gjyqtarin, duke bërë një dorëzim të kontrolluar. Ai u paraqit formalisht në polici dhe më pas u lirua.
Me paratë e evazionit fiskal, Gega duket se e kishte të lehtë të mbyllte dosjen. Fillimisht, dosja e tij lëvizi sa në një prokurori në tjetrën, deri kur gjeti linjën e duhur për t’a pushuar çështjen. Vendimi i pushimit nuk ishte i lehtë. Vetingu kishte nisur, ndërsa SPAK po jepte sinjalet e para. Për të mbyllur dosjen, duhet të kaloje mbi provat e policisë dhe tatimeve për evazionin fiskal.
Por, një gjë që nuk blihet me para thonë se blihet me shumë para. Sipas një sinjalizimi, Gega ka paguar të paktën 500 mijë euro për mbylljen e dosjes. Struktura policore, BKH dhe shërbimet besohet se janë në dijeni të aferës korruptive. Ka dyshime se 200 mijë euro i ka marrë gjyqtari që pranoi kërkesën për pushimin e çështjes, për të cilin do flasim në vijim.
Tjetër skemë mashtrimi, si e hoqi gjobën 350 mijë euro
Pas mbylljes së çështjes, bosi i Gega Oil vijoi avazin. Disa muaj më vonë, doganat kanë zbuluar se Paulin Gega, përmes Gega Oil kryente kontrabandë benzine dhe evazion fiskal duke kaluar regjimin e kasës nga automatike në manuale, duke fshehur kështu të ardhurat reale dhe duke deklaruar më pak fitim. Gega Oil u kap me një sasi prej 233 mijë litra benzinë të padeklaruar, e cila fshihej pikërisht përmes ndryshimit të regjimit të kasës. Benzina e padeklaruar u kap në Porto Romano, në magazinat fiskale, gjatë një inspektimi në terren.
Aksioni u prezantua me bujë nga vetë Edi Rama dhe Anila Denaj. Gega u gjobit me 350 mijë euro, ndërsa i shpëtoi sërish ndëshkimit penal. Jo vetëm kaq. Bosi i naftës lëvizi sërish fijet e duhura, duke hequr gjobën. U përfol se Gega hodhi 100 mijë euro për të hequr gjobën 350 mijë euro. Doganat dhe tatimet gati sa nuk i kërkuan falje Paulin Gegës. Ata thanë se gjoba ishte një keqkuptim. Sipas tyre inspektorët e doganave dhe ekspertët e policisë kishin bërë llogaritë gabim, duke harruar matjen e firove.
Vijon skema e vjedhjes
Gega Oil posedon rreth 90 pika karburanti. Kompania shet rreth 400 milionë litra karburant në vit. Nga ana tjetër, kompania deklaron fitime minimale vjetore në raport me aktivitetin ekonomik, për të mos paguar taksa. Edhe fitimi i deklaruar investohet gjoja në kapital, duke devijuar në forma të tjera dhe investuar në pasuri të paluajtshme, aksione dhe biznese të tjera. Në Tatime, Dogana, tek Krimi Ekonomik dhe BKH ka dhjetëra denoncime për aktivitetin e paligjshëm të Gega Oil, me kosto dhjetëra milionë euro në buxhetin e shtetit.
20 milionë euro tendera
Përmes dy kompanive, Gega Oil dhe Gega Center GKG, Paulin Gega ka përfituar vitet e fundit rreth 20 milionë euro para publike, përmes tenderave të dyshimtë, për furnizimin me karburant të disa institucioneve publike. Linja kryesore e përfitimit të parave publike nga kompanitë e Gegës është Bashkia e Tiranës dhe degët e saj. Tenderat janë shënuar kryesisht me flamur të kuq korrupsioni. Si për ironi, një tender me vlerë 500 mijë euro, Gega e ka fituar edhe nga SHISH, i cili e kishte monitoruar dhe skeduar për pastrim parash.
I blen shetit naftë me 21.7 lekë/liter dhe ia shet 218 lekë/litër
Ndodh edhe kjo. Paulin Gega blen në ankandet e shtetit karburant me një vlerë të caktuar dhe ia rishet më pas shtetit me çmim 10 herë më të lartë. ‘Goditjen’ e fundit Gega e bëri në mars 2026, ku bleu 2.313.000 litra ‘Marinë Gasoil 1000 PPM’, me 21.7 lekë për litër. Naftën që përdoret për motorrët e anijeve, Gega Oil e përzien në rezervuarët e saj dhe e shet me mbi 2 euro litrin në stacionet e saj si dhe ia rishet shtetit, në zbatim të kontratave me institucione publike.
/Shqip.com