“Shko sot, eja nesër”/Denoncimi: Credins Bank më grabiti kartën. Sorollatje me ditë të tëra dhe burokraci pafund në zyra
Një qytetar denoncon atë që e cilëson si një zvarritje të pajustifikuar nga Banka Credins, pasi një bankomat i bllokoi kartën e debitit për shkak të vendosjes së gabuar të kodit PIN. Denoncimi është bërë nga Gerti Shella i cili thekson se megjithëse kanë kaluar disa ditë dhe ka bërë disa paraqitje në degët e bankës, ai ende nuk ka mundur të rimarrë kartën e tij.
Nga Gerti Shella
“Fundjavën e kaluar, një bankomat i Bankës Credins më bllokoi kartën e debitit pasi vendosa gabim kodin PIN. Deri këtu gjithçka është e kuptueshme. Kontakova shërbimin e kujdesit ndaj klientit, ku më thanë të paraqitesha të hënën në degën e rrugës së Xhamllikut për të tërhequr kartën.
Të hënën shkova në degë, por përgjigjja që mora ishte që të rikthehesha nga e enjtja, pasi karta nuk ishte ende aty.
I habitur nga kjo situatë, të martën shkova në degën qendrore në zonën e Bllokut. Aty u përballa me një punonjëse, e cila fillimisht u përpoq të vinte theksin te gabimi im për vendosjen e PIN-it, ndërsa më pas më la të kuptoja se çdo degë vendos vetë për procedurën e kthimit të kartave. Madje, krijohej përshtypja sikur dega e Xhamllikut nuk ishte pjesë e të njëjtit institucion bankar.
I thashë se, po të ma kishte bllokuar kartën një bankomat në Malësi të Madhe, atëherë do të më duhej të udhëtoja çdo ditë nga Tirana deri atje, derisa dikush të vendoste të ma kthente.
Punonjësja dërgoi një e-mail dhe më tha të paraqitesha të nesërmen në orën 15:00. Shkova në orarin e caktuar, por sërish nuk mora kartën. U riktheva edhe të mërkurën dhe përsëri nuk kishte asnjë zhvillim. Sot i kontaktova sërish me telefon, por nuk mora asnjë përgjigje konkrete.
Teknikisht, Banka Credins më ka marrë kartën dhe nuk po tregon vullnet për të ma kthyer. Ironia është se kartën ma mori banka dhe jo një hajdut. Besoj se edhe një hajdut i mirëfilltë nuk do të ma mbante kaq gjatë. Ndërkohë, bëhet fjalë për një kartë që e paguaj dhe e financoj plotësisht vetë. Kam filluar të humbas shpresën se do ta rimarr së shpejti.

/Shqip.com