Deliu – Kurtit, Vitisë, Haxhiut: Nuk mund të fshiheni përgjithmonë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se Albin Kurti, Arben Vitia, Albulena Haxhiu e pjesëtarë tjerë qeveritarë “nuk mund të fshihen përgjithmonë”.
Kjo deklaratë e saj erdhi pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në protestën e organizuar pas vrasjes së 18 vjeçares nga Ferizaji, Marigona Osmani.
Sipas Deliut, kjo qeveri “është e absurditetit”, e që “po fshihet në protestues”.
“Është e kotë përpjekja e kësaj qeverie për ta fshehur dështimin dhe sjelljen e papërgjegjshme karshi besimit që qytetarët e vendit tonë ia kanë dhënë më 14 shkurt”, ka shkruar ajo në Facebook.
Përpos kësaj Deliu, përmendi edhe gjendjen me pandeminë COVID-19, ku çdo ditë po regjistrohen shifra të larta vdekjesh e infeksionesh.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i është bashkuar të enjten protestës së organizuar në Prishtinë, pas vrasjes së 18-vjeçares M.O., nga Ferizaj.
Pjesëmarrjen e Haxhiut në protestën para objektit të ministrisë që drejton, e cila është gjuajtur me ngjyrë të kuqe, e ka bërë të ditur vetë MD-ja.
Me anë të një postimi në faqen zyrtare të kësaj ministrie në Facebook, thuhet se qëllimi i pjesëmarrjes së ministres në këtë organizim ishte mbështetja e kërkesave të protestuesve.
“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte e pranishme sot fizikisht në protestën e organizuar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Qëllimi i pjesëmarrjes së ministres Haxhiu ishte mbështetja e kërkesave të protestuesve”, thuhet në njoftim.
Më tej në kumtesë thuhet se vrasja e 18-vjeçares është alarm për shoqërinë dhe secilin institucion, për çka edhe do të ndërmerren veprime serioze dhe urgjente.
“Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë neglizhuar raste të tilla të dhunës çka ka stimuluar që sjellje të tilla në vendin tonë të mos ndalen. Janë shumë jetë të humbura e së fundi kemi rastin e Marigonës. Ne do të angazhohemi që të ketë drejtësi dhe dënim meritor për kriminelët”, thuhet më tej në njoftim, duke shtuar se parandalimi dhe asdresimi i dhunës është një nga prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë. /Shqip.com