Lajme

Dardan Nuhiu do të duhej të shkarkohej në 2015-tën, dyshohet se shantazhoi Bordin

Ish-Drejtori i Njësitit për Inteligjencë Financiare

Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, i cili u shkarkua pas publikimit të audio-incizimeve nga Shqip.com, do të duhej të mos ishte në krye të kësaj njësie që nga viti 2015 kur bëri një shkelje tjetër ligjore.

Dyshohet se ai kishte shantazhuar anëtarë të Bordit për Mbikëqyrjen e NjIF-it, pasi që ata ishin zbrapsur nga vendimi për ta shkarkuar Nuhiun pas konfrontimit me gazetarin Astrit Gashi.

Në Ministrinë e Financave kanë konfirmuar se bordi mbajti mbledhje më 15 dhe 16 qershor të vitit 2015. Ata morën vendim të shkarkonin Nuhiun, por i njëti bëri kërkesë për dorëheqje – gjë që iu pranua po atë ditë.

“Çështja e mandatit të z.Nuhiu nga Bordi i NjIF-K është shqyrtuar në takimin e këtij bordi të mbajtur më 15 dhe 16 qershor të vitit 2015, si pikë e veçantë – pas raportimit të Gazetës Blic (Online) për konfrontimin e z.Dardan Nuhiu me gazetarin z.Astrit Gashi më 8 prill 2015”.

“Në këtë takim, Bordi i NJIF-K administroi provat lidhur me këtë rast dhe konstatoi që ky veprim i z.Nuhiu është shkelje ligjore. Si rrjedhojë, Bordi i NJIF-K vendosi për shkarkimin e z.Dardan Nuhiu nga pozita e Drejtorit të NjIF-K. Pas kumtimit të kësaj informate z.Nuhiut, i njëjti kërkoi që t’i jepet mundësia që të jepte dorëheqje dhe Bordi pranoi këtë kërkesë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për “Kohën”.

Gazetari Gashi ka refuzuar të prononcohej për rastin. Ai ka konfirmuar kërcënimin nga Nuhiu dhe tha se kishte ndodhur pasi mediumi i tij publikoi dokumente që dëshmonin qarkullimin e qindra mijëra eurosh në llogarinë e të nominuarit të atëhershëm për kryeprokuror të shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili sot akoma është në krye të Prokurorisë së Shtetit.

Një nga anëtarët e bordit të asaj kohe tha në kushte anonimiteti për Kohën se zbrapsja u bë pasi disa nga kolegët e tij ishin shantazhuar.

“U pa se ishin të shantazhuar shumica dhe njëkohësisht kishte presion edhe nga njerëz mbi ne, për ta kthyer në pozitë. Fatkeqësisht, ndërroi për 180 shkallë dhe Hoti, që ishte kryetar i Bordit”, u shpreh ai.

Dy ditë pasi u shkarkua e që ushtrues detyre nga Bordi u emërua Behar Xhema, vendimi për këtë të fundit u anulua, ndërsa Nuhiu u kthye në zyrë duke u bërë ushtrues detyre.

Ai ushtroi detyrën derisa përfunduan procedurat e rregullta për emërimin e drejtorit të NjIF-it. Më 23 mars të vitit 2016, Bordi zgjodhi Nuhiun në këtë pozitë edhe pse një vit më parë i njëti u shkarkua për shkelje ligjore.

Nuhiu, është shkarkuar me efekt të menjëhershëm, pas publikimeve të Gazetës Online Shqip.com, ku Nuhiu zbulon vetën duke treguar se si i ndikon personat e caktuar nëpër institucione dhe gjithashtu e ka në plan kapjen e sistemit medial në Kosovë.

Në ditën e tretë të vazhdimeve të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”, ministri i Financave Hekuran Murati, që është edhe kryetar i Bordit në NjIF, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se Nuhiu shkarkohet.

“Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, thuhet në postimin e Muratit.

Futuni në rubrikën N’shënjestër dhe ndiqni në mënyrë kronologjike publikimet në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”. /Shqip.com