Lajme Ballkan

Çka përmban rezoluta e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt

Kuvendi i Shqipërisë

Me 125 vota pro është miratuar rezoluta kundër raportit Dick Marty-t e propozuar nga Partia Socialdemokrate në Kuvendin e Shqipërisë.

Seanca u përcoll me shkëmbime akuzash mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, rreth rolit të tyre në luftën e Kosovës dhe në raport me akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte i ashpër ndaj PD-së në lidhje me qëndrimet e tyre ndaj rezolutës kundër raportit të Dick Martyt si edhe ndaj rezolutës kundër gjenocidit në Srebrenicë.

Rama tha se kjo parti i ka ngulur shumë thika Kosovës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Grida Duma i ka thënë kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës, që të duash Kosovën është atëherë kur ky i fundit e bënë faktorin shqiptar të rëndësishëm.

Duma i tha Ramës se dashuria për Kosovën është kur ai nuk “zgërdhihet” më me Vuçiqin dhe t’i kthej shpinën Albin Kurtit.

“Ta duash Kosovën nuk është të shkruash letra që harrohen për t’i përdorur kundër shqiptarit që ke brenda. Ta duash Kosovën është të bësh faktorin shqiptar të rëndësishëm në Ballkan siç e kanë vendin dhe atëherë kur ti të mos zgërdhihesh me Vuçiqin dhe t’i kthesh shpinën dhe më keq Albin Kurtit”, tha Duma.

Por çka përmban rezoluta e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë?

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të organeve dhe kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën që aprovon raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.

 Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës “të realizojë një raport vijues dhe rishikim të Rezolutës 1782” e cila u dha hov pretendimeve për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës së 1998-1999 në Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Më 18 korrik PS-ja ka deponuar në Kuvendin propozimin për këtë “Rezolutë” dhe tekstin e rezolutës me të cilën Shqipëria do të hedhë poshtë pretendimet për trafikim organesh nga raporti i Dick Marty-t./Shqip.com