Lajme

Duma-Ramës: Dashuria për Kosovën është kur nuk “zgërdhihesh” me Vuçiqin dhe i kthen shpinën Kurtit

Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Grida Duma i ka thënë kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës, që të duash Kosovën është atëherë kur ky i fundit e bënë faktorin shqiptar të rëndësishëm.

Duma i tha Ramës se dashuria për Kosovën është kur ai nuk “zgërdhihet” më me Vuçiqin dhe t’i kthej shpinën Albin Kurtit.

“Ta duash Kosovën nuk është të shkruash letra që harrohen për t’i përdorur kundër shqiptarit që ke brenda. Ta duash Kosovën është të bësh faktorin shqiptar të rëndësishëm në Ballkan siç e kanë vendin dhe atëherë kur ti të mos zgërdhihesh me Vuçiqin dhe t’i kthesh shpinën dhe më keq Albin Kurtit”, tha Duma.

Duma tha se Rama është duke treguar forcën e liderit global kur ekonomikisht janë më dobët se Kosova.

“Ta lësh të varfër këtë vend dhe ta lësh Serbinë edhe në raportet tregtare me Shqipërinë të përfitoj më shumë se Kosova dhe të bësh sa më shumë pleh që të krekosësh sa më shumë si gjel kur ti i tregon forcën Kosovës së qenke lideri global i rajonit ku edhe në Kosovë mjeku dhe pedagogu paguhet dyfishi i këtushëm, edhe në Kosovë ndihma ekonomike është më e madhe”.

Ajo po ashtu tha se nga shkëmbimi ekonomik me Shqipërinë është duke humbur Kosova dhe po përfiton Serbia.

Kuvendi i Shqipërisë

“Kush është thikë pas shpine më e madhe sesa të kesh këtë bilancin tregtar me Serbinë, ku Serbia përfiton nga Shqipëria e vogël me ekonomi të varfër dhe Kosova humb nga shkëmbimi me Shqipërinë e vogël me ekonominë e varfër, fiton Serbia ekonomikisht dhe jo vetëm politikisht”.

Ndërsa, ajo foli për kohën sa ishte në Ministrinë e Integrimit. Duma tha se nuk uleshin në tavolinë me serbët pa marrur aprovimin e delegacionit kosovar.

“Pak e kam pasur përvojën në Ministrinë e Integrimit. Atëherë kur Kosovës nuk iu shënohej emri në tavolinë dhe kur serbët qoheshin nga tavolina kur negociohej për fondet e rajonit, ne qoheshim si delegacion që të gjithë që të konsultoheshim me delegacionin e Kosovës që nuk ulej barabartë në tavolinë dhe pa marrë aprovimin e tyre nuk uleshim më në tryezë”.

Lexo edhe:
Rama përplaset me PD-në: Ju ia ngulët thikën Hashim Thaçit dhe Kosovës

Ndërsa, sot në Kuvendin e Shqipërisë Rama ka thënë se PD-ja i ka ngulur shumë thika Kosovës.

“Rezoluta për Srebrenicën u miratua në ditën e Srebrenicës jo në ditën e foltores dhe gojorës. Nuk keni çfarë ti beni gomarit dhe i bini samarit. Zanafilla e Dick Martyt është vota e PD-së në Këshillin e Europës kundrejt votës kundër të Damian Gjiknurit dhe Shpëtim Idrizit”, tha Rama.

Ai tutje tha se që nga dita e parë, kjo parti ka masakruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-presidentin, Hashim Thaçi.

“Thikat që i keni ngulur ju Kosovës nga dita e parë duke e masakruar UÇK-në si terrorist dhe marksiste leniniste deri në ditën e fundit duke ia ngulur thikën në gjoks Presidentit të Kosovcës janë të pafundme. Hajde thoni: Hashim Thaçi është mirë aty ku është? Ju jeni thika në gjoksin e Kosovës, kështu do të mbesni sepse jeni bishti i shtrëmbër”, tha Rama.

Lexo edhe:
Kuvendi i Shqipërisë voton kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën

Ndryshe më 18 korrik PS deponoi në Kuvendin e Shqipërisë një propozim për një “Rezolutë” dhe tekstin e rezolutës me të cilën Shqipëria do të hedhë poshtë pretendimet për trafikim organesh nga raporti i Dick Marty-t.

Në propozimin për rezolutë të cilën e kanë iniciuar deputetët e PS-së  Taulant Balla, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Blendi Klosi, Etjen Xhafaj, Petro Koci, Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollcaku, Ilir Pendavinji e Arben Pëllumbi thuhet se PS beson se do të ketë “mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë” dhe se me këtë projekt rezolutë synohet në vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën./Shqip.com