Lajme

Çitaku: Emërimi i Sinanit si këshilltare politike për Luginën e Preshevës është i gabuar dhe i dëmshëm

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës Vlora Çitaku ka thënë se emërimi i Ardita Sinanit si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është një hap i gabuar dhe i dëmshëm.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se nuk ka asgjë personale me Sinanin pasi edhe e ka mbështetur publikisht kur është shkarkuar nga detyra muaj më parë.

“Asgjë personale me zonjën Ardita Sinani ( e kam mbështetur edhe publikisht pasi u shkarkua nga detyra muaj më parë) mirëpo emërimi i saj si këshilltare për Preshevë, Medvegje dhe Bujanoc pranë zyrës së Kryeministrit të Kosovës është jo vetëm hap i gabuar, por edhe i dëmshëm”, shkroi Çitaku.

Sipas Çitakut, nëse qëllimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit të ishte i sinqertë për t’i ndihmuar shqiptarët në Luginën e Preshevës do të emëronte dikë që është apartiak.

“Sikur Kryeministri të ishte i sinqertë në qëllimin e tij për të ndihmuar shqiptarët e luginës nuk do të emëronte znj Sinani, për shkak se Ardita është kryetare e një subjekti politik në Preshevë. Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë a partiak. Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë”.

Çitaku tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i bashkojë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe jo t’i përçaj ata.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk duhet të përçajë shqiptarët në Luginë, por duhet të synojë t’i bashkojë ata. Fatkeqësisht, qasje të njëjtë destruktive e tendenca përçarëse Kryeministri Kurti ka shfaqur edhe me përpjekjet e tij për të ndërhyrë ne skenën politike në Shqipëri, Maqedoni, etj”.

Kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi, ka thënë se emërimi si këshilltare politike për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin Ardita Sinanin, është përçarës.

Për Shqip.com Arifi tha se në vend se të krijohet unitet në Luginën e Preshevës po vendosen marrëdhënie me një parti të përfaqësuar nga dikush i akuzuar për korrupsion.

“Në vend se të krijohet unitet në Luginën e Preshevës, krijo përçarje në vazhdimësi dhe vendos marrëdhënie me një parti. Sinani është kryetare e një partie në Preshevë dhe është me një parti e cila ka humbur në të gjitha zgjedhjet dhe nuk e përfaqëson shumicën në vendin tonë të cilën Sinani e përfaqëson duke qenë e akuzuar për korrupsion”, tha Arifi.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi

Tutje, i pari i Preshevës thotë se Liburn Aliu mundohet të ndikojë në fatin e Preshevës me këso vendime për shkak të lidhjeve familjarë qe i ka me Ardita Sinanin.

Kurti emëron Ardita Sinanin si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – SHQIP.com

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka emëruar Ardita Sinanin si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në njoftimin nga Qeveria e Kosovës, thuhet se ky është një hap drejtë themelimit të Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në kuadër të zyrës së kryeministrit e cila do ta koordinoj Sinani.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Ardita Sinani.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar znj.Ardita Sinani, Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ky është hapi i parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, zyrë të cilën do ta koordinoj znj.Sinani”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas Qeverisë, kjo zyre do të jetë në funksion të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna si dhe ruajtjen dhe shtimin e bashkëpunimit institucional./Shqip.com