Lajme

Arifi: Vendimi për emërimin e Sinanit si këshilltare politike për Luginën e Preshevës është përçarës

Kryetari i listës Alternativa Demokratike Shqiptare, Shqiprim Arifi

Kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi, ka thënë se emërimi si këshilltare politike për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin Ardita Sinanin, është përçarës.

Për Shqip.com Arifi tha se në vend se të krijohet unitet në Luginën e Preshevës po vendosen marrëdhënie me një parti të përfaqësuar nga dikush i akuzuar për korrupsion.

“Në vend se të krijohet unitet në Luginën e Preshevës, krijo përçarje në vazhdimësi dhe vendos marrëdhënie me një parti. Sinani është kryetare e një partie në Preshevë dhe është me një parti e cila ka humbur në të gjitha zgjedhjet dhe nuk e përfaqëson shumicën në vendin tonë të cilën Sinani e përfaqëson duke qenë e akuzuar për korrupsion”, tha Arifi.

Tutje, i pari i Preshevës thotë se Liburn Aliu mundohet të ndikojë në fatin e Preshevës me këso vendime për shkak të lidhjeve familjarë qe i ka me Ardita Sinanin.

“E gjitha kjo që po ndodhë me këtë vendim është dëshmi e asaj që unë e them se Liburn Aliu i cili mundohet që në fatin e Preshevës me ndiku me këso vendime përçarëse për Luginën e Preshevës pse e ka Sinanin kojshike. Vaj halli për neve se ku ka ardhur Qeveria e Kosovës dhe vaj halli për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.

Ndërsa për dy milionë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevë, Arifi thotë se po mundohet të shkelet një vendim i parlamentit të Kosovës dhe të shpërndahen nëpërmjet analeve korruptive tek Liburn Aliu dhe  Vetëvendosja.

“Po duket ashiqare që dy millionë eurot e kanë përqarë edhe vetë Qeverinë e Kosovës në drejtim të asaj që a me i dhënë në Luginë të Preshevës apo mos me i dhënë ato këtu dhe me e shkel një vendim të Parlamentit të Kosovës sepse të gjitha këto bëhen për shkak të këtyre dy milionë eurove që janë planifikuar në formë shumë korruptive të shpërndahen në kanale duke u kthyer tek Liburn Aliu dhe Vetëvendosja”.

Kurti emëron Ardita Sinanin si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – SHQIP.com

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka emëruar Ardita Sinanin si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në njoftimin nga Qeveria e Kosovës, thuhet se ky është një hap drejtë themelimit të Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në kuadër të zyrës së kryeministrit e cila do ta koordinoj Sinani.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar znj.Ardita Sinani, Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ky është hapi i parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, zyrë të cilën do ta koordinoj znj.Sinani”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas Qeverisë, kjo zyre do të jetë në funksion të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna si dhe ruajtjen dhe shtimin e bashkëpunimit institucional./Shqip.com