Lajme

Çeku: Prokurorë e gjykatës të korruptuar ‘mirëmbajtën sistemin e padrejtësisë’

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se prokurorët e gjykatësit e korruptuar e kanë mirëmbajtur sistemin e ‘padrejtësisë’.

Përmes një postimi në Facebook, Çeku tha se vilat e politikanëve e kanë shkatërruar natyrën.

“Prokurorë e gjykatës të korruptuar që kanë mirëmbajtur sistemin e padrejtësisë. Vila pa leje të politikanëve që kanë shkatërruar natyrën. Talli ndaj investitorëve të huaj që ka dërmuar ekonominë. Privatizime kriminale që kanë lënë njerëzit pa punë. Marrëveshje të dëmshme që e cenojnë sovranitetin. Punësimet nepotiste, hajnitë me tenderë, reketi ndaj biznesit, diplomat pa meritë”, shkroi Çeku.

Tutje, Çeku tha se atyre që nuk dëshirojnë që të merremi me 20 vitet e fundit, nuk do të ju plotësohet dëshira.

“E thjeshtë është arsyeja pse këta nuk duan as t’ua përmendim e as të merremi me 20 vitet e fundit. Nuk do t’ua plotësojmë këtë dëshirë”.

Politikanë, gjykatës e biznesmenë, pronarë të vilave të sekuestruara në Brezovicë – SHQIP.com

Kujtojmë se lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, në këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të tria niveleve të gjyqësorit.

Të tretë fillimisht kanë blerë parcela në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar villa. Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit,  si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme.

Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili.

Sipas prokurorit Rasim Maloku, i cili kohë më parë ishte deklaruar në media, shumica e këtyre objekteve janë ndërtuar, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zone.

Maloku ka njoftuar se pronarët që kanë blerë villa apo kanë ndërtuar, duke mos u përfshirë në vepra penale, nuk do të hetohen dhe ndiqen penalisht, por atyre vetëm do t’iu sekuestrohen pronat

Por, të gjithë këta persona, do të kenë mundësinë ligjore që të ndjekin rrugët në procedurë civile për kompensim të dëmeve që iu shkaktohen, ndërsa për villat, sipas Malokut, do të bëhet kërkesë për rrënimin e tyre, në mënyrë që zona të kthehet ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Ndër politikanët që figurojnë në listë janë Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i bizesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë.

/Shqip.com