Kulturë

Çeku: Mbështetja për muzikë është mbi 400 mijë euro

Ministri, Hajrulla Çeku, në takim me komunitetin e muzikës klasike

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka mbajtur takim me komunitetin e muzikës klasike, përcjell Shqip.com.

Në këtë takim është diskutuar për sfidat, arritjet dhe planet për avancimin e muzikës klasike në tërë kulturën e Kosovës.

Çeku ka folur për gjendjen aktuale në këtë fushë, duke i shpjeguar gjithashtu hapat që janë marrë, për muzikën në përgjithësi dhe muzikën klasike në veçanti gjatë këtij viti, duke filluar me mbështetjen financiare.

“Në kuadër të mbështetjes financiare përmes subvencioneve janë ndarë rreth 150 mijë euro për organizatat dhe rreth 115 mijë euro për individë. Nga 3 milionë euro të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për muzikë janë ndarë 113 mijë për individë dhe 141 mijë euro për organizata.

Në total mbështetja për muzikë brenda këtyre 8 muajve, nga 280 mijë sa ka qenë në vitin 2020, është mbi 400 mijë euro” thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ministri i Kulturës ka shpjeguar se në gusht të këtij viti është themeluar Institucioni i Operës së Kosovës dhe është iniciuar administrata bazë për funksionalizimin e këtij institucioni,

Po ashtu, ai ka treguar se është siguruar edhe buxheti për vitin 2022 për këtë institucion dhe është realizuar koncerti inaugurues si hap i parë.

Ministri, Hajrulla Çeku

Sipas njoftimit, MKRS është pranë nënshkrimit të marrëveshjes me Pallatin e Rinisë për rilokimin e Filarmonisë dhe Operës së Kosovës në këto hapësira.

Gjithashtu janë marrë hapat e nevojshëm për aplikim për fondet e IPA për sallën koncertale, ndërkaq në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet konkursi për projektim për Teatrin e Operas dhe Baletit.

“Po ashtu, ministri foli edhe për programin që MKRS ka për mbështetjen e aktivitetit artistik individual, mbështetjen e shkollave, adresimin e çështjeve të statusit të artistit të pavuarur. Në çështjen e diplomacisë kulturore, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme tregoi se po punohet në zhvillimin e platformave për prezantimin e kulturën tonë jashtë vendit, për bashkëpunimin ndërkombëtar në kulturë, ku veçoi Manifesta-n, programi për Evropën Kreative, i cili është miratuar ditën e djeshme në qeveri” thuhet tutje në njoftim.

Temat që u diskutuan edhe nga pjesëmarrësit, të cilët ishin profesorë, artistë, pedagogë, ishin çështjet e financimit, bashkëpunimi me qeverisjen lokale, infrastruktura, hapësirat e reja për organizimin e ngjarjeve muzikore, si dhe rritjen e edukimit për kulturën dhe muzikën.

Në këtë takim, pjesëmarrësit shprehen gatishmërinë për bashkëpunim mes Filharmonisë dhe Fakultetit të Arteve, gjë që do të ndikojë në zhvillimin artistik të studentëve./SHQIP.com