Sport Ndërkombëtar

Cassano befason me fjalët për Juventusin

Pas vendimit të Gjykatës Federale për të pranuar kërkesën e Prokurorisë me rihapjen e çështjes së mashtrimit në bilanc ka ardhur një dënim i rëndë për Juventusin. 15 pikë penalizim në kampionatin aktual dhe sanksione vetëm për klubin bardhezi dhe drejtuesit e tij.

Vendimi i publikuar të premten në mbrëmje ka shkaktuar shumë reagime nga ambienti bardhezi, mes lojtarëve aktuale dhe ish-futbollistëve, por edhe nga gjithë bota e futbollit në përgjithësi.

Në mbrojtje të “Zonjës së Vjetër”, në mënyrë surprizë, ka dalë Antonio Cassano, që gjatë lidhjes direkte në Bobo TV e ka komentuar me këto fjalë atë që ka ndodhur në Romë.

“Them vetëm një gjë, nëse vlen për Juventusin, vlen për të gjitha skuadrat e futbollit italian. Sepse Juventus mbush 50 faqe gazeta, ndërsa të tjerat janë me shkronja të vogla”, është shprehur ish-sulmuesi italian.

“Nuk mund të mendojmë tani se vetëm Juventus e ka bërë këtë gjë, nëse e ka bërë, do të ketë edhe skuadra të tjera, sepse më pas ligji duhet të vlejë për të gjithë. Unë nuk jam nga ata që e mbroj Juventusin në aspektin e futbollit, sepse luan shumë keq, por në këtë rast, në thonjëza, jam në anën e Juventusit. Çfarë do të thotë? Nëse ka gabuar duhet të paguajë. Por kjo duhet të vlejë për të gjithë dhe nëse kjo ndodh, atëherë do të ketë një ortek mes Serie A, Serie B, Serie C”, ka shtuar Cassano.

/Shqip.com