Lajme Në janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënuar Bulliqin me 500 euro, për sulmin fizik ndaj qytetarit

Sulmi ndaj qytetarit, Bulliqi thotë se takohen në nivel zyrtar

Shpejtim Bulliqi, ish-kryetar i komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi

Kryetar i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka folur në një intervistë për Shqip.com lidhur me raportet që ka me zyrtarin e komunës të cilin e kishte sulmuar fizikisht.

Ai tregon se takohen në nivel zyrtar dhe i njëjti është në prag të pensionimit.

“Personi është punëtor i komunës këtu dhe ne takohemi ai i ka detyrat dhe kryen punët e veta këtu. Është zyrtar i Shërbimeve publike dhe tashmë nëse nuk gaboj ka shkuar në pension ose në prag të pensionimit”, ka thënë Bulliqi.

Bulliqi thotë se për të kjo çështje është e mbyllur.

“Ka qenë një incident i rastit një mosmarrëveshje dhe keqkuptim me të cilin janë marrë institucionet e drejtësisë. Institucionet e drejtësisë e kanë kryer punën e tyre e kanë dhënë një vendim dhe për mua ai proces i mbyllur tashmë.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të këtij viti Bulliqi është dënuar me gjobë prej 500 euro.

Ai e kishte sulmuar një qytetar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare./Shqip.com

—————————————————————————————————————

Bulliqi: Qeveria Abazoviq e përkohshme, deklarata për demarkacion e pritshme

Kryetari i Podujevës, Shprejtim Bulliqi, që në kohën e demarkacionit me Malin e Zi ishte kryetar i Komisionit për Demarkacion, thotë se deklarata e Dritan Abazoviq për demarkacionin është e pritshme.

Sipas tij, Abazoviq është kryeministër i përkohshme dhe si i emëruar nga një kompromis i disa partive politike, nuk mund të jap qëndrim tjetër.

Ndryshe nga Abazoviq që mendon se çështja e demarkacionit ka marrë fund, mendon Bulliqi.

“Mendoj që nuk ka qenë diçka e papritur sepse një kryeministër në një pozicion çfarë është Abazoviq në këtë periudhë kohore nuk është se mund të kish dhënë deklaratë tjetër ose të kishim prit deklaratë tjetër.
Ajo është Qeveri e përkohshme dhe qeverisjen është duke e bërë një shqiptar të cilët janë në numër të vogël të popullsisë. Është një kompromis i shumë subjekteve politike dhe sigurisht që nuk mund të del jashtë qëndrimit të atyre grupimeve politike të cilët përfaqësojnë qeverisjen e Malit të Zi”, tha Bulliqi në një intervistë për Shqip.com.

Tutje, Bulliqi thotë se pret që në afat optimal të krijohet trupa punuese për verifikim të demarkacionit.

“Ne presim që institucionet tona në momentin më optimal ta krijojnë trupën e re punuese për verifikim, pasi një pjesë e ekspertëve të trupës së vjetër punuese kanë vdekur dhe po ashtu kanë dalë disa probleme dhe barriera të tjera rrugës”.

Kryeministri shqiptar i zgjedhur në krye të Qeverisë së Malit të Zi, ditë më parë tha se demarkacioni me Kosovën është çështje e mbyllur.

“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë ai.

Katër vjet pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka thënë se shpreson që të fillojë bisedime me Qeverinë e re malazeze për rishqyrtimin e saj.

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me Qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme, e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm ia dha Malit të Zi 8,200 hektarë të territorit të Kosovës”, pati shkuar Kurti.

Këtë deklaratë ish-kryeministri, Zdravko Krivokapiq, e pati vlerësuar si “provokim i papranueshëm”./Shqip.com

————————————————————————————————————–

Bulliqi thotë se gratë qeverisin më mirë, por emëron vetëm dy drejtoresha

Punët po del të kryhet ndryshe nga premtimet në Komunën e Podujevës.

Gjatë fushatës zgjedhore kryetari aktual i komunës, Shpejtim Bulliqi, pati premtuar se në krye të 50 për qind të drejtorive do të jenë gratë.

Por, gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, Bulliqi në një intervistë për Shqip.com tregon nga gratë udhëhiqen vetëm dy drejtori dhe pozita e nënkryetares.

“Ne kemi nënkryetaren e komunës që është grua, e cila është kolege e imja me të cilën bashkëpunojmë jashtëzakonisht mirë. Kemi drejtorin e Administratës që udhëhiqet nga një grua si dhe drejtorinë e Gjeodezisë që udhëhiqet nga një grua” thotë Bulliqi.

Megjithëse premtimi i vjetër nuk u mbajt, Bulliqi nuk heziton të bëjë premtime të reja.

Ai thotë e synojnë që gratë t’i vendosin në udhëheqje të shkollave dhe institucioneve shëndetësore.

“Jemi duke punuar që edhe në të ardhmen në një varg të posteve drejtuese qoftë nëpër shkolla apo institucione të tjera shëndetësore, t’u jepet mundësia të udhëhiqen nga gratë, sepse gratë tek ne kanë një vend të veçante dhe sigurisht që përfaqësimi i tyre është shumë i rëndësishëm. Shpesh herë në praktikë kanë treguar që gratë janë shumë më të suksesshme në qeverisje sesa ne vetë burrat. Prandaj, synimi ynë është ta rrisim këtë numër dhe besoj që po punojmë për ditë në këtë drejtim”, tha tutje Bulliqi.

Por, premtimi për emërimin e një numri të madh të grave në krye të drejtorive, Bulliqit as i kujtohej dikur.

Tre muaj më parë i kontaktuar nga Shqip.com, ai pati thënë se nuk ka deklaruar se do t’i punësoj gratë në 50 për qind të drejtorive./Shqip.com

——————————————————————————————————–

Bulliqi për përmirësimin e rezultateve në PISA, po investojnë në infrastrukturë

Komuna e Podujevës po vazhdon investimet në infrastrukturën arsimore për ta rritur cilësinë.

Kjo po vlerësohet si zgjidhje nga i pari i komunës, Shpejtim Bulliqi.

Në një intervistë për Shqip.com, Bulliqi ka deklaruar se janë duke ndërtuar objekte të reja dhe pajisur shkollat me laboratorë.

“Ajo çka varet nga ne si institucione lokale është krijimi i një infrastrukture të përshtatshme për fëmijët, krijimi i laboratorëve për mësimin praktikë. Dhe një gjë të tillë po e bëjmë me investime shtesë, të cilat jemi ka i bëjmë në arsim. Krejt kjo me qëllim që të rritet niveli i mësimdhënies dhe mësim nxënies”, ka thënë Bulliqi për Shqip.com

Bulliqi thotë se meqë kanë investuar në infrastrukturë presin rezultate më të mira.

“Shpresojmë dhe presim rezultate më të mira sepse e dimë që kemi qenë në një pozicion jo të përshtatshëm si Kosovë. Unë besoj që kemi rezultate në kuptimin infrastrukturor kemi avancuar. Jemi duke përgatit dhe një projekt që do ta bëjë digjitalizimin e shkollës që mësuesit dhe nxënësit t’i kapin më lehtë problemet dhe ta lidhin më mirë praktikën me teorinë”, thotë Bulliqi.

Megjithatë, një ndër problemet kryesore për mos aftësimin e nxënësve në praktikimin e njohurive nga gjuha, shkenca dhe matematika, rezulton të jetë metoda jo e duhur e ligjërimit.

Në vitin 2018 në testin ndërkombëtar PISA, nga 79 vende pjesëmarrëse Kosova u rendit e 77-të, ndërsa në vitin 2016, e 68-ta nga 72 vende pjesëmarrëse. /Shqip.com

Për më shumë lexoni artikullin në vijim: