Lajme Në vitin 2018, nga 79 vende pjesëmarrëse në testin PISA, Kosova u rendit e 77-ta

ZKA: MASHTI nuk ka ndërmarrë asnjë hap për rezultatet e ulëta në testet ndërkombëtare

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Kosova vazhdon të jetë në fund të listës së testit ndërkombëtar PISA.

Për këtë, Zyra Kombëtare e Auditorit po e bën përgjegjës edhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Sipas tyre, të njëjtit nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për t’i identifikuar shkaqet e rezultateve të ulëta të nxënësve.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të identifikuar arsyen se pse nxënësit tanë kanë rezultatet shumë të ulëta në testet ndërkombëtare. Rezultatet e testeve ndërkombëtare në të cilat ka marrë pjesë Kosova tregojnë se ne po marrim shumë pak pikë krahas me vendet e tjera (në vendin e tretë të fundit nga 77 vende pjesëmarrëse), që është tregues se synimi i rezultateve sipas lëndëve në kurrikulë nuk po zbatohet siç është synuar”, thuhet në raportin “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare” të ZKA-së.

Tutje, sipas tyre institucionet arsimore nuk kanë arritur të përmirësojnë metodologjinë e mësimdhënies.

Për këtë, nxënësit vazhdojnë të mos kenë rol aktiv në orë.

“Rrjedhimisht, nxënësit vazhdojnë të marrin pjesë në orët e mësimit duke dëgjuar mësimdhënësit që ligjërojnë gjatë gjithë orëve të mësimit dhe aktivizohen vetëm në fund nëse kanë ndonjë pyetje dhe vlerësohen përmes pyetjeve me përgjigje të shumëfishta”, thuhet në raport.

Krejt kjo po bën që Kosova të renditet në fund të listës së testit ndërkombëtar, PISA, që bën testimin e aftësive për t’i praktikuar njohurit nga leximi, matematika dhe shkenca.

Në vitin 2018, nga 79 vende pjesëmarrëse Kosova u rendit e 77-të, ndërsa në vitin 2016, e 68-ta nga 72 vende pjesëmarrëse./Shqip.com