Kulturë

Britania e Madhe do t’ia kthejë Turqisë artefaktin “Koka e Erosit” pas 141 vjetësh

Muzeu “Victoria &Albert” do t’i kthejë Turqisë një kokë mermeri të hyjnisë greke Eros që u nda nga një sarkofag e që daton në shekullin e 3-të të erës sonë.

V&A e përshkroi kthimin e artefaktit si “një partneritet kulturor” me agjencinë qeveritare turke që mbikëqyr kulturën dhe turizmin, raporton Artnews.

Marrëveshja e huasë, e cila është caktuar të zgjasë për një periudhë prej gjashtë vjetësh, pranon pronësinë e përbashkët midis qeverisë turke dhe muzeut të Britanisë së Madhe, i cili është i drejtuar nga shteti.

Fragmenti i Erosit u mor në vitin 1882 nga Charles Wilson, një zyrtar ushtarak britanik gjatë një qëndrimi në Anadoll, kur ai zbuloi një sarkofag romak në provincën Karaman të Turqisë qendrore.

Wilson më pas huazoi kokën në V&A, i cili atëherë njihej si Muzeu South Kensington. Ajo iu dhurua muzeut në vitin 1933 pas vdekjes së tij.

V&A diskutoi kthimin e kokës në Turqi në këmbim të një antikiteti bizantin. Drejtori i atëhershëm i muzeut, Eric Maclagan, shprehu hapur shqetësimin për pasojat e mundshme të një marrëveshjeje të tillë kthimi në objekte të tjera të mbajtura në muzetë britanikë.

Megjithatë, në vitin 1934, qeveria e Britanisë së Madhe autorizoi kthimin e kokës së mermerit në Turqi. Për të parë nëse koka e mermerit ishte vërtet nga sarkofagu origjinal.

Koka e mermerit vazhdoi të mbahej në ruajtje në Londër deri në fund të shekullit të XX-të.

Në vitin 2005, bisedat rreth kthimit të skulpturës u rishfaqën kur qeveria turke bëri thirrje që artifakti origjinal të rikthehej përfundimisht.

Kuratori i V&A Paul Williamson tha se muzeu ishte i gatshëm ta dërgonte kokën përsëri në Turqi me hua afatgjatë. Negociatat u rinovuan edhe një herë në vitin 2010.

Si pjesë e marrëveshjes, konservatorët e kanë ribashkuar kokën në sarkofagun Sidamara nga i cili është marrë më shumë se një shekull më parë.

Monumenti tani është i ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Stambollit.