Berjani flet pas vendimit të Qeverisë për rregullimin e çmimit të naftës

Qeveria e Kosovës ka miratuar udhëzimin për rregullimin e çmimeve të naftës.
Në lidhje me këtë vendim, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani për SHQIP.com ka thënë se ende nuk e kanë pranuar vendimin.
Ai ka thënë së për këtë vendim do të diskutojnë edhe me kompanitë e naftës në Kosovë.
“Ne ende nuk e kemi pranuar vendimin nga Qeveria. Si dhe ende nuk kemi mbajtur takim me përfaqësues të kompanive që tregtojnë naftë në Kosovë”, tha Berjani përmes një përgjigje me shkrim.
Ndryshe, ditë më parë naftëtarët janë mbledhur në Odën Ekonomike të Kosovës për të shqyrtuar gjendjen e krijuar pas ngritjes së çmimeve enorme të karburanteve në vend.
Në këtë mbledhje është diskutuar paralajmërimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.
Në dokumentin e siguruar nga SHQIP.com, Shoqata e Naftëtarëve kërkon që të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë. Në rast se kjo kërkesë nuk plotësohet, atëherë kjo Shoqatë kërkon nga Qeveria që marzha e fitimit të caktohet 3 për qind për shitje me shumicë dhe 12 për qind për shitje me pakicë.
Në rast se asnjëra nga kërkesat nuk plotësohet, atëherë paralajmëron mbylljen e pikave të derivateve.
Për këtë çështje, një zyrtar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë për SHQIP.com se kjo Shoqatë nuk ka arsye për t’i mbyllur pompat e derivateve në Kosovë.
Sipas zyrtarit të MINT, vendimi i naftëtarëve për t’i mbyllur pikat e derivateve mund të sjellë pasoja.
Nga kjo ministri thonë se vendimi i Qeverisë do të jetë i favorshëm si për naftëtarët ashtu edhe për qytetarët./SHQIP.com