Sport Ndërkombëtar

Benzema flet si futbollist i Al-Ittihad

Karim Benzema u largua nga Real Madrid pas 14 vitesh dhe u transferua në Arabinë Saudite, duke pranuar ofertën “faraonike” të Al Ittihad. Pasi nënshkroi kontratën me klubin saudit deri në vitin 2026, ai tha fjalët e tij të para.

“Mezi pres të përjetoj një ligë të re në një vend të ri. Al Ittihad ka një histori të jashtëzakonshme, tifozë tepër pasionantë dhe ambicie të mëdha futbolli për t’u bërë një forcë në Azi. Kam pasur mundësinë të arrijë gjëra të jashtëzakonshme në karrierën time dhe për të fituar gjithçka në Spanjë dhe në Evropë”, ka thënë Benzema.

“Mendoj se ka ardhur koha për një sfidë të re, për të realizuar një projekt të ri. Sa herë që kam vizituar Arabinë Saudite, gjithmonë kam ndjerë ngrohtësi dhe dashuri nga tifozët dhe njerëzit. Mezi pres të bashkohem me shokët e mi të rinj të ekipit. Është një sfidë e re për mua, një jetë e re dhe mezi pres të filloj stërvitjen. Do të bëj gjithçka për të fituar trofe, për të shënuar, për të treguar talentin tim, për të kënaqur tifozët, klubin, presidentin, të gjithë. Është një ligë e mirë dhe ka shumë lojtarë të mirë”, ka shtuar sulmuesi francez.

“Cristiano Ronaldo ndodhet aty tashmë, një mik që tregon se Arabia Saudite po fillon të rritet. Unë jam këtu për të fituar, siç bëra në Evropë”, u shpreh Benzema.

/Shqip.com