Kulturë

Ben Blushi zbulon detaje nga romani i ri

Ben Blushi, shkrimtar
Ben Blushi, shkrimtar

Romani më i ri i shkrimtarit Ben Blushi ka në qendër Shqipërinë e vitit 2044. Ndonëse e ardhmja në vepër është hipotetike, autori niset nga premisat dhe tendencat aktuale për të parashikuar një kohë ku shqiptarët mund të jenë krejt të paktë në numër.

“Projektoj te ardhmen, si do jetë Shqipëria pas 20 vitesh. Libri im merret me këtë punë, projekton Shqipërinë e viteve 2044 kur nga 2.5 milion që jemi sot, atëherë mund të jemi 1 mln dhe meqë kemi emigracion të lartë, do të përfundojmë në 1 mln ose 1.5 mln. Atëherë do të kemi nevojë për fuqi punëtore. Njerëz të huaj do vijnë te ne. Do jenë popuj më të pazhvilluar nga ana ekonomike, mund të jenë afganë, sirianë, turq, libanezë, afrikanë, mund të jenë vietnamezë”, tha shkrimtari.

Blushi zbuloi detaje nga romani i ri që pritet të dalë nga shtypi këto ditë, në një takim me të rinj në QKLL në kuadër të “Tetorit të librit”. Në përgjigje të pyetje të gjimnazistëve, ai foli për përplasjen e civilizimeve në luftën Izrael-Hamas, të shkruarit në fillim të viteve 1990 si edhe për raportin mes shkrimtari e politikanit por duke pranuar se në këto 3 dekada nuk kanë qenë kohë të arta për letërsinë.

“Nuk kam ëndërruar ndonjëherë të bëhesha politikan. Gjithnjë kam ëndërruar të bëhesha shkrimtar, që kur kam qenë fëmijë. Letërsia është një sport individual, është si ping-pongu apo tenisi, ndërsa politika është si futbolli apo volejbolli, ti mund të luash në një ekip, ti luan mirë, ekipi keq dhe humb ekipi, humb edhe ti, ose e kundërta. Në letërsi i ke të gjitha fajet vetë nëse gjërat nuk shkojnë mirë. Unë mendoj që 30 vitet e fundit, ndryshe nga çfarë pritej nuk kanë qenë vite të mira për letërsinë shqipe. Ka pas shumë liri, por nuk ka pas shumë letërsi”, tha Blushi.

Nga gazetar në fillimvitet 1990, në politikan, Blushi do bënte bujë që me romanin e tij të parë. Veprat e tij janë vendosur në kohë të ndryshme duke gërshetuar historinë me imagjinatën dhe profecitë letrare.

/Shqip.com