Kulturë

Ben Blushi sjell “Komplotin”: Shqipëria dhe Kosova po largohen nga njëra-tjetra

Afganët e Shëngjinit si komplotistë dhe Kosova e “sakrifikuar” për hir të përplasjeve mes shqiptarëve e afganëve. Kjo është Shqipëria e vitit 2044 në romanin “Komploti” të Ben Blushit. Pas marrëveshjes Rama-Meloni që parasheh kampe refugjatësh në Shëngjin, vepra e re e Blushit merr tjetër kuptim për atë që parashikon. Vetë autori sqaron për News 24 detaje të komplotit, rrethanat historike dhe përfshirjen e hebrenjve në një komplot mbi shtetin e qeverinë, rolin e SHBA-së, filorusët, dhe një ngjarje të jashtëzakonshme në Kavajë.

Blushi sqaron aktualitetin dhe parashikimet duke analizuar dhe politikën e Kosovës e Shqipërisë.

– Ben Blushi vjen para lexuesit me romanin “Komploti” i cili që pak ditë pas botimit ka ngjallur debate dhe interes nga publiku, për shkak të temës që trajton, mënyrës që e trajton dhe personazheve që ka. Si ka lindur ideja për “Komplotin”? Ju e keni përfunduar së shkruari në pranverë, megjithatë duket se ka parashikuar ngjarje që tashmë po ndodhin.

–Është koincidencë e bukur sepse gjithë këto ditë më kanë shkruar ose më kanë pyetur që si ka mundësi që ke parashikuar që mbas shumë vitesh Shëngjini do të kthehet në një bashki të huajsh, emigrantësh më saktë. Këto ditët e fundit pati një marrëveshje me Italinë dhe duket sikur kjo u vendos. Sigurisht, është fryt i fantazisë. Unë kam shkuar shpesh në Shëngjin aty ku ka shumë afganë prej dy vitesh dhe aty më ka lindur ideja e një komploti, në një vend si Shqipëria, e cila zbrazet. Pra ideja themelore e librit është çfarë ndodh me Shqipërinë pas 20 vitesh, nëse popullsia jonë bjerret, pra pakësohet edhe më shumë se kaq. Ne kemi qenë 3 milionë e pak banorë ndërsa sot jemi ndoshta 2 milionë e gjysmë, ku i dihet që mbas 20 vitesh do të jemi 1 milionë e gjysmë për shkak të emigrimit të lartë dhe rënies së lindjeve. Sot lindin më pak bebe se kurrë në Shqipëri. Këtu lindnin 36 mijë bebe në vit, ndërsa tani lindin më pak se 35 mijë bebe. Pra rënia jonë e popullsisë te ne është drastike. Ne e ndjejmë se jemi popull i vogël. Ideja e librit është çfarë ndodh me Shqipërinë nëse numri i shqiptarëve zvogëlohet dhe popullsitë e huaja, refugjate apo emigrante, shtohen. Në një vend si Shqipëria, që mirë apo keq është vend europian, nuk do të ketë refugjatë gjermanë, apo anglezë, as suedezë, por do ketë emigrantë nga vende më të pazhvilluara se ne, që mund të jenë vende aziatike apo afrikane siç po flitet. Dhe kur këta do të vijnë, siç ndodh në Francë, Itali, apo Belgjikë, ata do të organizohen për të marrë më shumë pushtet ekonomik, më shumë pushtet shoqëror, apo politik. Kjo është ideja e “Komplotit”, një konflikt mes shqiptarëve dhe të huajve që vijnë këtu, për të krijuar një shtet më të madh.

-Ngjarjet zhvillohen në të ardhmen.

-Në vitin 2044, pra pas 20 vitesh, kështu që të gjithë ata që mendojnë se ka lidhje me situatën e sotme duhet të jenë të qetë, çdo koinçidencë është rastësi.

-Por mund ti paraprijmë?

Ata që qeverisin sot, pas 20 vitesh nuk do të jenë për fat të mirë.

-Këtë nuk mund ta dimë, apo jo?

Këtë nuk e dimë, keni të drejtë.

-Ju riktheni disa emra dhe merrni nga historia, pinjollin e Rauf Ficos, që është një prej personazheve në veprën tuaj “Komploti”. Keni një përpjekje për të rikthyer disa figura të njohura të historisë, shqiptare ose jo. Kjo ka të bëjë me pasionin tuaj, apo është për të treguar që Shqipëria ka pasur familje të mëdha?

Këto janë disa teknika që përdor në shumicën e librave të mi, që nga librat e parë deri sot. Marr personazhe të historisë dhe i rikthej në një kontekst tjetër. E kam bërë shpesh dhe e kam edhe këtu. Një nga personazhet kryesorë është nipi i një ministri të jashtëm, të Shqipërisë së para luftës, Rauf Ficos. Ai i jep një drejtim të caktuar “Komplotit”, është pjesë e komplotit. Përveç nipit të Rauf Ficos, kam edhe një personazh tjetër shumë të njohur, që është Leon Trocki.

-Që është nipi i Trockit, i një personazhi të njohur historik për Lindjen dhe Komunizmin?

-Jo vetëm për lindjen, por për të gjithë botën. Leon Trocki ka qenë njeriu që improvizoi gjithë revolucionin proletar apo komunist rus në vitin 1917. Nëse Lenini ishte mendja, ai ishte dora. Leon Trocki realizoi një grusht shteti që rrëzoi Rusinë cariste dhe vendosi komunizmin në Rusi dhe komunizmi nga Rusia u eksportua në gjithë Lindjen dhe deri në Shqipëri. Para se të ndodhte revolucioni në Rusi, Leon Trocki, në vitin 1913, Leon Trocki, ishte një djalë i ri, çifut ukrainas që gazeta ku punonte e solli të pasqyronte masakrat serbe të vitit 1913 në zonën e Maqedonisë, në Gostivar, Shkup e Tetovë. Dhe kjo është ngjarje e vërtetë.

-Në zonat ku ka shqiptarë?

-Po, në zonat ku ka shqiptarë. Ai erdhi dhe ka jetuar aty përreth 3 muaj dhe reportazhet e tij për masakrat serbe mbi shqiptarët janë fantastike. Të dhimbshme shumë por shumë reale, janë si një fotografi. Unë kam marrë këtë detaj që është i vërtetë dhe në roman ai ka një raport me një vajzë shqiptare dhe nipi i Trockit është personazh në librin tim.

-Keni 3 hebrenj që janë mjaft të rëndësishëm për mënyrën se si zhvillohet komploti. Dhe të tre kanë lidhje të ndryshme për Shqipërinë, Simon Shuter, Lavi Elton dhe Leonid Trocki. Simon Shuteri, një prej tyre është një personazh që ju e rimerrni nga “Kandidati”, kemi edhe Lavi Elton që është pasardhës i Leo Elton, i një hebreu që ka propozuar Shqipërinë si vendin ku mund të vendosej shteti i Izraelit, në vitet 1930. E bëni shumë aktual librin duke përfshirë në një farë mënyre Ukrainën, konfliktin Izrael –Palestinë dhe konfliktin në Kosovë.

-Kam në libër në një kuptim të tre konfliktet e mëdha që ka sot bota. Konflikti në Ukrainë, konflikti që ndodhi në tetor në Izrael, dhe konflikti që ndodhi në Kosovë. Ky libër është shkruar në shkurt e mars. Ukrainë ishte sigurisht një konflikt i nisur, por Banjksa në Kosovë dhe Izraeli nuk kishin nisur. Të tre çifutët që unë kam si personazhe janë njerëzit që bëjnë komplotin në fakt, për arsye të ndryshme dhe të tre flasin shumë për raportet mes Izraelit e botës, që në fakt është sot tema më e madhe në botë. Njëri prej tyre është sionist, është një prej atyre që luftojnë -dhe kjo është akuza që ka ndaj Izraelit sot- për të pasur një shtet të izraelitëve. Një prej tyre, Elton është pinjoll i një sionisti, dhe është fakt historik që më 1935 shumë hebrenj të njohur, piktorë, akademikë a shkrimtarë u shpërndanë nëpër botë para luftës së dytë botërore për të gjetur një territor ku do të vendosej shteti i hebrenjve. Disa shkuan në Afrikë, disa në Alaske, gjetën ishuj të pabanuar, në Madagaskar apo Uganda, e njëri prej tyre erdhi në Shqipëri. Ai ishte gazetar britanik, me emrin Leon Elton. Ai vjen në Shqipëri dhe studion Shqipërinë e vitit 1935 dhe gjen një vend të përshtatshëm për të themeluar një shtet hebre. Ai ka shkruar një artikull të gjatë, pse Shqipëria. Këtë propozim ia bëri kongresit hebre të kohës, ata nuk e morën parasysh dhe më 1948 injoruan Shqipërinë dhe shkuan në Palestinë, aty ku sot ka konflikt. Unë kthehem mbrapsht dhe them imagjinoni sikur Izraeli të ishte vendosur në Shqipëri. Sipas Eltonit ishte i përshtatshëm se ishte vend afër Europës, ka det dhe është mes italianëve dhe grekëve. Nipin e tij, siç mora nipin e Elon Trockit, e kam marrë si personazh dhe ky është sponsori i komplotit. Cili është Komploti me pak fjalë? Një konflikt mes shqiptarëve dhe afganëve, të cilët në vitin 2044 mund të jenë rreth 200 mijë-300 mijë në Shqipëri sipas romanit. Afganët kanë marrë pushtet politik dhe njëri prej tyre bëhet ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë dhe i vë vetes një mision, duke kërkuar të çlirojë Kosovën nga serbët, për shkak të avancimit të Rusisë, serbët në libër kanë pushtuar veriun e Kosovës, siç po tentojnë ta bëjnë. Ndërsa afganët e Shqiptarët janë në këtë konflikt, tre çifutët për arsye të ndryshme hyjnë në mes dhe krijojnë një komplot. Komploti përfundon në një mënyrë që s’mund ta them.

-Ka një shtet tjetër që është një nënlinjë e romanit. Janë SHBA-të me rolin e tyre në shumë luftra a konflikte por edhe me një lloj “administrimi” që i bëjnë Shqipërisë dhe vendeve si Shqipëria. Linja e SHBA-së, sidomos në sponsorizimin e Duranit, afganit të Shëngjinit, deri në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, duket një linjë i përshtatet ose i përqaset edhe realiteteve shqiptare ku shpesh SHBA vendos në mos drejtpërdrejtë, e bën përmes disa vendimeve për personazhe të caktuara.

– Nëse shohim një trend europian, sipast të cilit të huajt emigrantët, refugjatët e luftës dhe bota ka gjithnjë konflikte viktimat e të cilëve përfundojnë kryesisht në Europë, duke u europianizuar ne do të jemi porta e parë e hyrjes së emigrantëve. Nëse një pjesë e tyre rrinë këtu, kur ne të jemi vend më europian se ç’jemi, e të kemi një nivel jetesë më të mirë, pse e përjashtoni që ata do të integrohen në vendin tonë, do të marrin punë, do jenë shoferë taksie, kamarier, që do kenë bizneset e tyre, do martohen me shqiptarë, dhe duke u organizuar do të marrin edhe pak pushtet politik. Ju e shihni që në Angli, kryeministri është indian, kreu i bashkisë është pakistanez. Ky trend mund të vijë edhe në Shqipëri, se ne nuk jemi vend i izoluar. Kemi qenë dhe më mirë që jemi të hapur. Jetojmë shumë më mirë. Nëse kjo ndodh, sic ndodh në librin tim, një prej tyre bëhet ministër i mbrojtjes, dhe kur kjo ndodh, bëhet komploti i madh për të bashkuar Shqipërinë me Kosovën, po për çfarë? Për të krijuar një Afganistan të madh. Pra Shqipëria bëhet një Afganistan në mes të Europës. Kjo është pjesa e librit. Sa i takon rolit të SHBA-së, nëse bota ka aq shumë koflikte sot, në Kosovë, Ukrainë, Armeni, Azerbaxhan, po dhe në Palestinë, ka dy pole që i tërheqin këto forca. Cilat janë polet? Rusia e Amerika. Këto janë dy superfuqitë që kanë dominuar shekullin e 20 për shkak të fuqive ushtarake e ekonomike, për shkak të ndikimit kulturor që kanë në gjithë botën e pasurivë të mëdha që kanë ose kontrollojnë pasuritë më të mëdha, naftën, ujin, energjinë. Kanë fituar luftëra të mëdha si Lufta e dyët botërore ku mundën nazizmin. Krijohen konflikte se njëra tërheq një vend si në rastin e Kosovës, ku Rusia tërheq Serbinë, Amerika Kosovën e shqiptarët. Për sa kohë që këto janë në përplasje, bota do të vazhdojë te ketë konflikte. Ato nuk përplasen me njëra tjetrën por futen shtet e vogla në konflikt. Ne për fat jemi nën influencën e Amerikës. Kemi qenë dikur në influencën e rusëve, sot jemi në atë të SHBA dhe për këtë shkak ka ndikim të madh në vendimet tona, sidomos në ato gjeopolitike e gjeostrategjike. Ky ballafaqim superfuqish që ndodh në territore të vogla si Shqipëria, është në libër.

-Pos Simon Shuterit, që ka qenë te “Kandidati”, duket se libri juaj i vitit të kaluar, me portrete, ka shërbyer si një terren për të qëmtuar, natyra, karaktere, histori, shtresa kulturore për “Komplotin”.

– Mundet. Në një kuptim unë e kam zbuluar komunitetin afgan mbi të cilin ndërtohet ky komplot, duke shkuar shpesh në Shëngjin ku bëja fotografi vitin e kaluar. Shkoja në Shëngjin dhe fotografoja vajza afgane të mbuluara, apo burra afganë për të parë mënyrën e tyre të jetesës. Kam shkuar në shkollën e tyre, “AT ZEF PLLUMI” ku studionin fëmijë nga klasa e tretë a katërt deri në gjimnaz. Një shkollë me emrin e një prifti katolik ku studiojnë 200-300 fëmijë afganë. Kjo ishte interesante për mua. Aty e kam marrë motivin e librit në fakt. Më pas Simon Shuteri është një personazh që mund ta rimarr prapë, ai është një shqiptar tipik me origjinë hebreje, sigurisht një intelektual, një njeri i çuditshëm, aventurier, i cili ka shumë pakënaqësi për Shqipërinë. Ai mendon se shqiptarët nuk kanë qenë të realizuar në histori, duhet të kishin bërë më shumë, të ishin përpjekut dhe ndoshta duhet të kishin pushtuar ndonjë vend. Në libër një nga motivet është dilema e shumë njerëzve përfshirë edhe Shuterit, përfshirë edhe mua ndoshta, që ne, kemi mbetur një popull i vogël se nuk kemi qenë agresivë në histori, gjithnjë na kanë pushtuar, asnjëherë nuk kemi pushtuar. Na kanë marrë territore e nuk kemi bërë asgjë, ndërkohë kjo është e vërtetë, sepse rasti i Kosovës është kështu, i Çamërisë, Janinës, Malit të zi kanë qenë territore që na i kanë marrë. Shuteri i ka këto dilema dhe i zgjidh në mënyrat e tij dhe në një kuptim ai është truri i komplotit.

-A është Simon Shuteri altergoja letrare e Ben Blushit?

S’më takon mua ta them. Unë nuk flas pafra pasqyrës.

-Ka një luftë dhe një ministër mbrojtjeje që fluturon mbi territoret e Shqipërisë e Kosovës, dhe këtu është një element i komplotit. Në anën tjetër, mbase ardhja e emigrantëve, mund të përbëjë një lloj përplasjeje kulturore. Në vepër, ju keni një personazh, një katolike nga Shëngjini që për hir të bashkëshortit afgan vendos të mbulohet me shami. Sa e rrezikshme mund të jetë kjo përplasje kulturore? Ne shohim edhe debatet që bëhen tani pas marrëveshjes Meloni-Rama, por sa e rrezikshme mund të jetë për shoqërinë tonë, dhe për mënyrën se si shqiptarët e thjeshtë, të provincës mund ta presin a menaxhojnë një situatë të tillë?

Mendoj se nuk duhet të kemi frikë nga e ardhmja. Do jemi dhe nuk mund të mos jemi viktima të evropianizimit tonë. Nëse një shqiptar nga Mallakastra a Kukësi, ka emigruar në Evropë dhe janë 1 mlinionë prej tyre dhe në punë kanë arabë, në pallat kanë afrikanë, ata mund të kenë raporte intime me aziatikë, dhe nuk ndodh asgjë. Pse kjo nuk mund të ndodhë në Shqipëri? Kjo mendoj se nuk mund të shmanget. Shpresoj jo në masën që të huajt bëhen më shumë se ne, por pse jo. Shko pyesni bizneset e Shqipërisë sa nevojë kanë për fuqi punëtore, dhe ka dy rrugë, ose ekonomia do bjerë, ose do hapim vendet për të huajt. Këtë po bëjnë vende si Gjermania me 90 mln banorë, që merr mjekë e infermierë, nga gjitha vendet e botës përfshirë ne. Por ne jemi aq pak sa po na morën edhe pak bëhemi shumë pak. Do ketë një përplasje kulturore? Nuk e besoj. Ne jemi vend i hapur. Bota është e hapur, dhe kultura konsumohet në instagram. Besoj se është një proces që do kalohet në mënyrë natyrale, jo të dhunshme.

-Keni pasur te Hëna e Shqipërisë, një trajtesë ku parashikonit një konkurrencë, mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe drejtuesve e liderëve të dy vendeve.

-Kjo po ndodh.

-Kjo po ndodh. Dhe në libër ju merreni edhe me Kosovën, e sakrifikoni Kosovën, për hir të komplotit. Si u prit libri në Kosovë dhe si e shihni të ardhmen nëse kemi parasysh që rivaliteti i liderëve ka nisur, ku do shkojmë?

-E para, ky libër ndryshe nga gjithë botimet e mia të mëparshme, është botuar njëkohësisht edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Në Kosovë kam botues tjetër, Dukagjinin, në Shqipëri kam Botimet Pegi. Kjo ka ndodhur se Shqipëria e Kosova janë dy shtete të ndryshme. Shkova edhe në Kosovë edhe për një arsye që ju e thatë, se në qendër të komplotit është Kosova. Pra afganët e Shqipërisë, kur marrin pushtet dhe kanë Ministrinë e Mbrojtjes vendosin të pushtojnë Kosovën, në fakt ta çlirojnë nga Serbia. Për këtë fakt, sepse janë kundër afganëve, shqiptarët, nuk e duan këtë projekt. Dhe meqë pas afganëve janë amerikanët, shqiptarët nisin të bëhen me rusët. Por Kosova sot, është në prezente në politikën tonë të brendshme. Ka debate se ç’raport duhet të kemi ne me atë shtet, a duhet të jemi vëllai i madh, shtet binjak, duhet të jemi një lloj tutori që i themi çfarë të bëjë e çfarë jo? Mbase Kosova nuk e pranon. Ajo që kam parashikuar para 10 vitesh e ndjen edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Dy vendet po largohen pak. Ata mendojnë se mund të jetojnë vetë. Mendoj se tendenca do theksohet dhe vendet do të largohen në kuptimin kulturor e politik. Divergjencat që ka sot Shqipëria e Kosova janë reflektim i këtyre raporteve.

-Është për shkak të liderëve apo për shkak të popullsive?

Është për shkak të kohës, jo për shkak të mënyrës se si qeveriset. Shqipëria e viteve të fundit është kthyer sipas meje në një republikë tregtare. Pra sheh vetëm interesat tregtare. Turizmi ka marrë shumë hov, ekonomia po strukturoret ndryshe, dhe Shqipëria është më e ftohtë në aspektin nacionalist se çka qenë para 10 a 20 vitesh. Po ashtu edhe shqiptarët e Kosovës, janë në një dilemë të madhe se si do ta organizojnë të ardhmen e tyre.

-“Komploti” do të jetë në panairin e librit dhe ju do të jeni aty për të takuar lexuesit. Çfarë duhet të bëjmë ndryshe për panairin, si mund të joshet publiku drejt leximit?

Unë flas vetëm për vete, nuk marr përsipër të ndryshoj tregun e librit i cili ka qenë shumë i mirë përpara dhe është dobësuar ndjeshëm. Por prapë mendoj se njerëzit janë të interesuar për librat e mirë. Dhe panairi është një mundësi e madhe dhe një dyqan i madh libri sepse nëse ka diçka që e dëmton librin është mënyra si shpërndahet. Në shumicën e qyteteve të Shqipërisë nuk ka librari. Është si në një qytet të mos ketë furrë buke dhe buka dhe libri janë ushqim për njeriun. Shpërndarja e librit shpesh përfundon në mënyrë komike. E vetmja mënyrë për ta çuar librin aty ku duhet, është sot që flasim që mediat të jenë më aktive e më të interesuara dhe uroj që në të ardhmen, teknologjia të zëvendësojë shpërndarjen. Pra të blihet libri online e të lexohet në celular. Do ishte fantastike për ta çuar librin më shumë se sa shkon fizikisht. E ardhmja e librit besoj është teknologjia.

/Shqip.com