Lajme

Bajrami: Qasja e BE-së ndaj referendumit serb paraqet tendencë për kompromise të reja

Profesori universitar, Arsim Bajrami.

Profesori universitar, Arsim Bajrami, qasjen e Bashkimit Evropian për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, e ka parë si tendencë për kompromise të reja, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka listuar tri pika që thotë se paraqesin dështimet e BE-së për të ndalë provokimin e radhës të Serbisë.

“BE-ja në vend të përkrahjes se ndërhyrjes në rendin kushtetese të Kosoves, për gjoja ‘demokratizimin e Serbisë’ me qëllim te reformimit e sistemit gjyqësor me ndryshimin e Kushtetutës serbe, do të duhej të kërkonte në mënyrë unanime heqjen e Kosovës nga Kushtetua serbe si provokim i agresionit kushtetues ndajë Kosovës”, shkroi ndër tjerash ai.

Lexo edhe:
Kurti falënderon deputetët për miratimin e rezolutës për mosmbajtje të referendumit serb në Kosovë

Tutje, ai pyet se cili do të ishte reagimi i BE-së në rast se Shqipëria do të shpallte një referendum dhe do të kërkonte votimin e qytetarëve nga Kosova.

“Shtrohet pyetja si do të reagonte ajo në rast se Republika e Shqipërisë shpallë referendumin dhe kërkon votimin e qytetarëve të Kosovës në territorin e Kosovës për reformën e saj gjyqësore?

A do ta përkrahte një referendum të këtillë, apo do ta gjykonte, madje me kualifikimet serbe si tendencë për krijimin e Shqipërisë Etnike”, shkroi tutje ai.

Ish-ministri i Arsimit provokimin e Serbisë për mbajtje të referendumit në Kosovë, e sheh si cenim të sovranitetit, rendit kushtetues dhe pavarësisë së Kosovës.

“Provokimi i fundit i Serbisë që në territorin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, të mbajë referendum për ndryshimin e Kushtetutës së saj paraqet një provokim të radhës.

Lexo edhe:
Selmanaj për abstenimin e tij: Seanca ishte për shkak të pazotësisë dhe nevojave personale të Kurtit

Bëhet fjalë për Kushtetutën e Serbisë, e cila jo vetëm në preambul, por edhe në pjesën normative e konsideron Kosovën si pjesë organike të saj dhe paraqet një tendencë të hapur të agresionit kushtetues ndaj Kosovës”, shkroi ndër tjerash ai.

Ndryshe, të shtunën, në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës, me 76 vota pro dhe një abstenim ka miratuar rezolutën kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Në këtë seancë morën pjesë edhe dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që e përkrahën këtë rezolutë.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme.

Pas votimit të kësaj rezolute, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i falënderoi deputetët duke thënë se qëndrimi i institucioneve është në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend duke thënë se nuk do t’i shkelin parimet.

Por, Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi ka marrë vendim që serbëve nga Kosova t’ua mundësojë votimin në referendumin serb nëpër qytete të Serbisë, transmeton Shqip.com.

Në gjithsej 45 vendvotime, në listat e votuesve do të shtohen edhe emrat e serbëve nga Kosova të cilët do të mund të votojnë në referendumin për ndryshim të Kushtetutës në fushën e drejtësisë./SHQIP.com