Lajme

Avokati i Haradinajt infektohet me COVID-19, kërkon shtyrjen e seancës

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj

Toby Cadman, avokati i Nasim Haradinajt, ka kërkuar shtyerjen e procedurave të gjykimit meqë i njëjti ka rezultuar pozitiv me COVID-19, përcjell Shqip.com.

Për këtë, Cadman nuk është prezent në gjykatë, por që ka folur në seancë përmes një video-lidhjeje ku ka kërkuar nga trupi gjykues që këtë javë të shtyjë procedurat derisa të flas me të akuzuarin dhe të marrë udhëzimet se si të vazhdohet tutje.

Ai tha se për shkak të infektimit me Coronavirus, nuk ka pasur asnjë mundësi që të kontaktojë me Haradinajn.

“Në këtë fazë unë po kërkoj thjesht një shtyrje të përkohshme në mënyrë që të mund të kontaktoj me zotëri Haradinaj dhe në mënyrë që të marrë udhëzimet e plota nga zotëri Haradinaj nëse ai dëshiron që ne të vijojmë ose nëse është pro shtyrjes, pra kjo është një situatë e paparashikuar dhe është rrethanë përjashtimore.

Zoti Haradinaj nuk është i pranishëm, ka qenë e pamundur të kontaktoj me zotëri Haradinaj dhe nëse zotëri Haradinaj do të jetë në gjykatë nesër, përkthyesi ynë dhe hetuesi nuk është në gjendje të jetë në gjykatë nesër për shkak të kohës që duhet të pres për testin PCR… Siç e dini edhe zotëri Haradinaj është në karantinë, nuk kam pasur mundësi të flas me zotëri Haradinaj gjatë fundjavës, kam kërkuar që të paktën të flas me të në telefon në mënyrë që të mund ta informoj për gjendjen time aktuale shëndetësore”, ka thënë Cadman.

Ndërkaq, përveç Cadman, gjithë ekipi mbrojtës i Haradinajt është lajmëruar në seancë përmes video-lidhjes.

Ndërsa prokuroria nuk ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Haradinajt që i njëjti të mund të flas me të akuzuarin dhe të marrë udhëzimet nga ai./SHQIP.com