Lajme Ballkan

Arrestohet ish-shefi i policisë së Dhërmiut, ishte i dënuar me 12 vjet burgim për trafikim të drogës

Ish-shefi i Policisë në Dhërmi, Sokol Bode, i cili ishte shpallur në kërkim, është arrestuar gjatë mbrëmjes të së enjtes në Berat.

Forcat e Posaçme Operacionale kanë bërë të mundur prangosjen e Bodes, ndërsa pritet edhe trasferimi i tij drejt Tiranës, ku do të vuajë edhe dënimin me burg, raporton Topchanel.

Më 22 prill të këtij viti, Gjykata e Posaçme i dha dënimin me 12 vite burg, nën akuzën e trafikimit të drogës.  Emri i Bodes ishte në të njëjtën dosje me ish-ministrin Saimir Tahiri, por çështja ndaj tij u veçua për tu gjykuar në mungesë.

Po ashtu, me 7 prill të 2017 ai ka marrë masë disiplinore nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe ka qenë në hetim edhe nga SHÇBA, pasi në njësinë administrative ‘Guri i Zi’ në Shkodër u zbulua një mini sere ku u gjetën 87 kubikë kanabis./Shqip.com