Lajme

Arrestohen gjashtë persona për shpërlarje parash, iu sekuestrohen 125 mijë euro

Aksioni i Drejtorisë për Krime Ekonomike

Gjashtë persona, A.Q., Sh.R., A.O., F.L., H.L dhe L.S., janë arrestuar të mërkurën pasi që dyshohet se kanë kryer veprat penale “shpërlarje parash”, “falsifikim” dhe “armëmbajtje pa leje”, përcjell Shqip.com.

Përmes një njoftimi, Prokuroria Speciale ka njoftuar se nga të dyshuarit në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 125 mijë euro të dyshuara si dhe pesë vetura të modeleve të ndryshme.

Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje, teksa njofton se Brenda afateve kohore ligjore, do të bëhet kërkesa për caktimin e paraburgimit.

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë arrestuar gjashtë (6) persona, me inicialet A.Q., Sh.R., A.O., F.L., H.L dhe L.S., të dyshuar se kanë kryer veprat penale “Shpëlarje parash”, “Falsifikim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Lexo edhe:
Drejtoria e Krimeve Ekonomike me aksion në Prishtinë, nuk dihet arsyeja

Gjithashtu, nga të dyshuarit në vendin e ngjarjes janë sekuestruar të holla në vlerë prej njëqindenjëzetepesë mijë (125.000) euro të dyshuara, si dhe pesë (5) vetura të modeleve të ndryshme. Me urdhër të prokurorit të Shtetit personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe brenda afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesa për caktimin e paraburgimit”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Ndryshe, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Prokuroria Speciale e Kosovës kanë realizuar një aksion në disa lokacione të ndryshme në Ferizaj, Fushë Kosovë, Viti, Kaçanik dhe Prishtinë./SHQIP.com