OP-ED Kolumne

Arbërie Nagavci, një grua e vetme përballë një histerie “burrash”!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërije Nagavci kohëve të fundit mbase është duke e përjetuar një prej presioneve më të ulëta që mund t’i bëhet një gruaje e cila vendos të merret me politikë.

E mbërthyer në heshtjen e saj të hekurt, ajo sot me këmbëngulje vazhdon të çojë përpara projektet e premtuara. Ndonëse është e vetëdijshme se as bursat për studentët e dalluar, as përkrahja për organizatat që angazhohen për rritjen e cilësisë në arsim, as fondi i posaçëm për mësimdhënësit me probleme të rënda shëndetësore nuk e zbusin mjerimin në arsim, megjithatë ajo është duke vazhduar palëkundur rrugëtimin e saj.


E gjetur përballë stuhisë mashkullore që kërkojnë legjitimim institucional të mbulesës së vajzave në moshë të pa rritur, Arbërije Nagavci është e vetëdijshme se “liria për shami në shkolla” është vetëm një hipokrizi mashkullore, të cilët flasin në emër të fëmijëve. Andaj, ajo deri më tani me mjeshtëri e ka menaxhuar situatën.

E braktisur nga gjitha koleget politikane që bëjnë kalkulime me vota, ajo është e vetëdijshme se edhe partia e saj ka bërë premtime parazgjedhore. Në këto rrethana, ajo duhet të duroj edhe çmimin e deklarimeve paraelektorale. Dhe, kjo falë këmbënguljes së saj të hekurt për avancimin e reformave të sistemit arsimor i cili ke dekada u degradua nga ata që vlerë të vetme e shpallën “librezën partiake”.


Arbërije Nagavci gjatë këtyre ditëve nuk ka si mos ta sheh se përtej “petkut të mbulesës” fshihet edhe tendenca e ngulfatjes së çdo mendimi i cili bie ndesh me ata të cilët mendojnë prerazi- kush nuk ua lejon vajzave të mitura shaminë në shkolla publike, nuk është as mysliman, për më tepër është djalli vet! Kjo prerje si me thikë dhe linçimi që i bëhet çdokujt i cili shpreh një mendim ndryshe, nuk është tjetër veçse një paralajmërim i kobshëm i dëshirave të shfrenuara të atyre të cilët janë në gjendje çdo veprim ta arsyetojnë në emër të fesë – madje edhe kategorizimin e “besimtarëve të mirë” dhe “besimtarëve të këqinj”.

Dhe, nuk do mend, se të njëjtin “terror psikologjik” e ushtrojnë edhe ndaj fëmijëve të mitur të cilëve nuk ua tregojnë të vërtetën e madhe: Mbulesa as nuk ua fiton parajsën, e as ua garanton atë! Por, janë veprat dhe qëndrueshmëria ndaj sprovave ato që e kalitin njeriun dhe në fund vlerësohen nga Krijuesi. Veçanërisht në rrethana kur në emër të fesë disa trushpërlarë e marrin edhe rolin e Zotit!
Fjala “Islam” në përkthim do të thotë paqe. Por, me gjasë për disa më i rëndësishëm është “arabizimi” i kulturës shqiptare sesa islamizimi i mirëfilltë i brezave që do të vinë. Dhe, kjo betejë e “padukshme” veçanërisht është e theksuar midis atyre që thirren në emër të Zotit! Ata më shumë se adhurim, duan pushtet. Pushtet në emër të Zotit!

Vëmendje: Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com