Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD jep dorëheqjen nga strukturat: Arsyet pse vendosa të bëj një hap pas
Nga Adela Qemalli, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD
Pas vitesh angazhimi të pandërprerë në Partinë Demokratike, sot po marr një nga vendimet më të vështira të rrugëtimit tim.
Kam qenë e pranishme në fushata, përballje dhe procese të ndryshme politike. Kam mbajtur role e përgjegjësi të ndryshme, kam marrë pjesë në vendimmarrje dhe jam angazhuar me bindjen se po i shërbeja një kauze në të cilën besoja.
Gjatë kësaj periudhe kam dhënë kohë, energji,përkushtim dhe mbi të gjitha pjesë të zemrës time , duke i përmbushur detyrat me përgjegjësi dhe duke qëndruar besnike ndaj bindjeve të mia. Për këtë arsye, vendimi i sotëm nuk është i lehtë. Ai shoqërohet me emocione të forta dhe me vlerësim të thellë për një kapitull të rëndësishëm të jetës sime, për njerëzit me të cilët kam bashkëpunuar dhe për përvojat që kam ndarë.
Megjithatë, vjen një moment kur duhet të reflektosh me sinqeritet dhe të marrësh vendime në përputhje me ndërgjegjen dhe parimet e tua.
Pas një reflektimi të gjatë, kam vendosur të tërhiqem nga çdo funksion dhe përgjegjësi që mbaj aktualisht në Partinë Demokratike dhe të përfundoj angazhimin tim politik.
Nuk po largohem për shkak të mungesës së vullnetit apo forcës për të vazhduar. Po largohem sepse besoj se, në rrethana të caktuara, përgjegjësia ndaj vetes dhe parimeve të tua kërkon të dish kur është momenti për të bërë një hap pas.
Kësaj rruge i kam dhënë gjithçka që kam mundur. Sot nuk ndiej nevojën t’i provoj asgjë askujt. Lë pas angazhimin politik, por jo bindjet, parimet dhe respektin për atë që kam përjetuar e ndërtuar gjatë këtyre viteve.
Sot largohem nga politika me ndërgjegje të qetë, me respekt për atë që kam dhënë dhe me besimin se kapitujt e rinj nisin pikërisht atëherë kur ke guximin të mbyllësh me dinjitet ata të vjetrit.
/Shqip.com