Ekonomi Biznes

Analizë: Rreth 2 miliardë € qarkullojnë në Kosovë dhe asnjëherë nuk deklarohen

Ilustrim
Ilustrim

Po të kihet parasysh se sipas matjeve të ndryshme del që ekonomia joformale është rreth 30 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, i bie që rreth 2 miliardë euro qarkullojnë në Kosovë dhe asnjëherë nuk deklarohen. Dhe këto shifra për ekonominë gri për Kosovën e vogël dhe të varfër ekonomikisht, që sipas njohësve të rrethanave, nuk kanë ndryshuar thuaja se fare edhe në vitin 2022, janë shumë të mëdha, dhe me dëme dhe pasoja, pokështu, të mëdha dhe të frikshme, madje.

Lajmi i publikuar ditët e fundit në mediet kosovare së “Antikorrupsioni i përcjell në Prokurori 63 raste për mosdeklarim të saktë të pasurisë” flet qartë sa vetë zyrtarët, ata me kushte materiale të favorshme për konditat e Kosovës së varfër dhe që rrogat e larta, ndër më të lartat në vend, i kanë nga taksat e qytetarëve të Republikës, kanë dorë jo të papërfillshme në përqindjet e larta të ekonomisë informale që me vite ëhtë shtrirë gjerë e gjatë në Kosovë.

Dihet tashmë, mbi 4700 zyrtarë të lartë publikë e kanë për obligim sipas ligjit të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ndërsa, siç raportojnë mediet, ka pasur jo pak zyrtarë që nuk i kanë deklaruar pasuritë e tyre në AKK. Ose më saktësisht, 148 raste për mos deklarim të saktë të pasurisë kundrejt zyrtarëve të lartë publik janë trajtuar këtë vit. Prej 148, 63 raste janë përcjellë në Prokurori të Shtetit dhe këtë fakt e ka bërë të ditur Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Dhe ky fakt, bie ndesh me paralajmërimet e zyrtarëve të Kosovës për një betejë të pakompromis kundër ekonomisë joformale në vend, e cila sipas të dhënave të disa agjencive dhe institutcioneve të vendit, dhe jo shumë të përditësuara, vlerësohet të sillet në shkallën prej 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB)në vitin 2020 në Kosovë, ishte rreth 6.8 miliardë euro. Ndërsa, po të kihet parasysh se sipas matjeve të ndryshme del që ekonomia joformale është rreth 30 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, i bie që rreth 2 miliardë euro qarkullojnë në Kosovë dhe asnjëherë nuk deklarohen. Dhe këto shifra për ekonominë gri për Kosovën e vogël dhe të varfër ekonomikisht, që sipas njohësve të rrethanave, nuk kanë ndryshuar thuaja se fare edhe në vitin 2022, janë shumë të mëdha, kolosale dhe me dëme dhe pasoja, pokështu, të mëdha dhe të frikshme, madje.

Ndërkohë, 148 raste për mos deklarim të saktë të pasurisë kundrejt zyrtarëve të lartë publik janë trajtuar këtë vit, prej tyre, 63 raste janë përcjellë në Prokurori të Shtetit. Prandaj premtimet e zyrtarëve të Kosovës, edhe të Qeverisë Kurti 2, për ta ‘luftuar” ekonominë informale, që dorën në zemër, nuk është se nuk e luftoi, madje goxha me vendosmëri dhe përkushtim korrupsionin, një nga format e rënda të ekonomisë joformale, pas bërjes publike të numrit të zyrtarëve të lartë publikë që nuk kanë deklaruar pasurinë, u zbehën shumë, u degraduan dhe nuk tani, në përmbyllje të këtij viti, nuk vlerësohen edhe aq seriozisht nga opinioni.

Sepse, si mos të zbehet beteja goxha evidente e institucioneve aktuale për ta luftuar korrupsionin, kur 148 raste për mos deklarim të saktë të pasurisë kundrejt zyrtarëve të lartë publik janë trajtuar sivjet. Ose, ska si mos të zhvlerësohet dhe të zbehet edhe puna e zellshme e Administratës Tatimore e Kosovës (ATK), institucionit që po dëshmohet në vendosmërinë për ta luftuar informalitetin, kur dihet se sivjet 63 zyrtarë të lartë publikë janë çuar në Prokurori të Shtetit për mos deklarim të pasurisë.

Dhe ky fakt, domosdo i ulë rezultatet goxha të shënueshme të ATK-së në këto vitet e fundit në përballjen me informalitetin. ATK-ja, sipas drejtorit të këtij institucionit, Ilir Murtezaj, gjatë vitit që shkoi ka identifikuar mbi 3100 punëtorë pa kontrata pune. Po ashtu, ka konstatuar se 22 për qind e bizneseve që kanë llogari tatimore, nuk kanë deklaruar tatimet në Administratën Tatimore të Kosovës. Gjatë një debati të organizuar nga ATK, platforma Civikos dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet me organizatat nga shoqëria civile rreth formalizmit të punësimit në vend, si dhe implementimit të projektit të ATK-së “Punësimi joformal 2021-2023”, drejtori ATK-së, Ilir Murtezaj ka thënë se punësimi jo-formal në radhë të parë i sjell dëm punëtorëve, sepse ata nuk gëzojnë të drejtat bazuar në Ligjin e Punës.

“22 për qind e bizneseve tatimin në paga nuk e deklarojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në të dhënat e vitit 2020. Prej këtyre deklaruesve, 61 për qind e tyre nuk kanë paguar tatim në pagë, ndërsa 39 për qind kanë paguar. Pesë për qind e deklaruesve kanë deklaruar paga nën 150 euro”, tha ai.

Murtezi shtoi se mos-formalizimi prodhon dëme ligjore e tatimore. Në këtë diskutim, ai ka treguar edhe për numrin e punëtorëve që janë identifikuar gjatë vitit që shkoi pa kontrata pune.

“Përmes pakos emergjente fiskale, 15 mijë të punësuar kanë qenë punëtorë të formalizuar. Ndërsa, nga pako e fundit që e kemi të ringjalljes ekonomike, rezulton që diku afër 10 mijë të punësuar kanë kërkuar të përfitojnë nga masa 1.1, 1.2 dhe 1.3… Në periudhën janar-nëntor 2021, kemi diku mbi 3100 punëtorë të identifikuar, të cilët kanë qenë pa kontrata pune dhe kanë qenë realisht duke punuar”, ka thënë Murtezaj me këtë rast.

Edhe rezultatet e sivjetshme goxha imponuese të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), tejkalimin e të gjitha parashikimeve në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e shtetit, të cilat shënojnë 721.6 milionë euro, sipas drejtorit Murtezaj, mbesin nën hijën e ndikimit dhe famës së keqe të faktit se se sivjet 63 zyrtarë të lartë publikë janë çuar ë në Prokurori të Shtetit për mos deklarim të pasurisë. Sidoqofrë, mbledhja e të hyrave nuk janë i vetmi indikatorë që ATK ka shënuar progres këtë vit. Progres ka edhe në trajtimin e borxheve tatimore, tek të cilat, siç tha Murtezaj të enjtën në konferencë shtypi, është arritur të kemi 152.2 milionë euro borxh të mbledhur.

Veç kësaj, “këtë vit janë ndërmarr një numër i konsiderueshëm i aksioneve për konfiskim të borxheve ndaj tatimpaguesve, të cilët nuk i kanë respektuar afatet dhe kushtet për t’i kryer obligimet tatimore”, tha Murtezaj.“Për të pasur rezultat ATK ka punuar që të ketë trajtim sektorial, përmes 5 projekteve të cilat janë duke trajtuar sektorin e ndërtimtarisë, punësimit joformal, gastronomisë dhe hotelerisë, mallit pa dokumentacion/mungesa në stoqe, si dhe mos-deklaruesit.

ATK gjatë vitit 2022 u vlerësua lartë për performancën e saj nga të gjitha institucionet ndërkombëtare të cilat bëjnë monitorimin e punës së ATK-së, sikurse raportet e vlerësimit nga: FMN-ja, raporti i KE-së, OECD-së, USAID, si dhe vlerësimet nga Ambasada e Britanisë së Madhe dhe institucionet tjera”, tha i pari i këtij institucioni.

Edhe tek pjesa e bashkëpunimit me qytetarë për evazion tatimor, të cilët kanë shfrytëzuar kanalet e raportimeve, ka raportuar 2,379 raste, ku pas verifikimeve në terren ka lëshuar 1,087 gjoba. Këto janë padyshim fakte dhe rezultate të pamohueshme. Por, si të tilla, praktikisht janë vetëm të një institucioni, dhe karrshi peshës së rëndë të faktit të fshehjes së pasurisë dhe trajtimit gjyqësor nga 63 persona me funksione të larta shtetërore, e zbehin ndjeshëm rëndësinë e efektshmërisë së ATK-së.Edhe sipas përfaqësuesit të FMN –së në Kosovë, informaliteti në Kosovë është më i larti në regjion.

“Të dhënat flasin se informaliteti në Kosovë ka arritur të jetë 35 për qind, përqindje kjo ndër më të lartat në regjion. Pak a shumë këtë nivel e kanë edhe Maqedonia e Mali i Zi. Këto janë të dhënat e para që ka bërë Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe vlerësimet tjera që në këtë pikë e qesin Kosovën, jo mirë.Kosova, sa i përket deklarimit tatimor del jo mirë në krahasim me regjionin”, kishte thënë zyrtari i FMN-së.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për medie se pavarësisht përpjekjeve të institucioneve për të luftuar ekonominë joformale, nuk është arritur të bëhet mjaftueshëm. Për vite, shton Zeka, këto biznese kanë krijuar konkurrencë të pabarabartë në treg, por tani do të jenë ato të cilat do të goditen më së shumti nga kriza, pasi që nuk do të mund të marrin ndihmën që do të ofrohet nga shteti apo edhe mekanizmat tjerë.

Ndërsa sipas zyrtarëve të FMN-së dhe të OEAK, disa nga faktorët që kanë ndikuar në informalitet janë besimi i ultë në institucione dhe procedurat e stërzgjatura në zgjedhjen e kontesteve biznesore. Por së fundi gjithsesi në rritjën e shifrave të ekonomisë informale, kanë ndikuar, gjithsesi, pandemia COVID 19, por edhe lufta ruso-ukrainase, domosdo.

Ndërsa sipas “Analizës së ekonomisë nën hije në Kosovë”, të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës bërë më 2019 në ekonominë informale ndikim jo të vogël kanë stabiliteti politik dhe sundimi i ligjit, ndërsa dihet Kosova në krahasim me vendet fqinje renditet më ulët në stabilitetin politik dhe sundimin e ligjit.

Sipas këtij studimi, paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike dhe mosfunksionimi i qeverisë ndër vite ka bërë që qytetarët ta humbin besimin në institucionet shtetërore. Efektiviteti i qeverisë duket se është një përcaktues i rëndësishëm i rritjes së ekonomisë së padeklaruar në Kosovë. Në krahasim me vendet fqinje, Kosova renditet në nivelin më të ulët përsa i përket cilësisë së institucioneve, efektivitetit të qeverisë dhe sundimit të ligjit.

Në këtë mënyrë, nga të dhënat e raportuara në këtë studim nga sondazhi i firmave në Kosovë rezulton se raportimi i ulët i shitjeve të kompanive është dukshëm më i lartë në mesin e firmave më të vogla dhe të reja, dhe firmave në pronësi të burrave. Asnjë asociim domethënës nuk është gjetur ndërmjet dështimeve formale institucionale dhe raportimit të ulët të shitjeve, por ekziston një lidhje statistikisht signifikante midis raporteve të shitjeve të nënraportuara dhe nivelit të besimit vertikal dhe horizontal, thuhet në analizë. Kjo do të thotë që besimi i qeverisë i matur nga perceptimi i korrupsionit luan një rol kryesor në informalitet.

Dështimet institucionale dhe papërsosmëritë zvogëlojnë moralin e qytetarëve dhe zvogëlojnë motivin e tyre për t’u futur në sektorin formal në krahasim me sektorin joformal. Dështimet në institucionet formale që rrisin prevalencën e funksionimit joformal të ndërmarrjeve, ndër të tjera janë: korrupsioni dhe cilësia e qeverisjes; PBB më e ulët për frymë; ulja e shpenzimeve për ndërhyrjet në tregun e punës për të ndihmuar grupet e cenueshme; niveli më i ulët i shpenzimeve sociale; dhe sisteme të transferit social që janë më pak efektivë në uljen e nivelit të pabarazisë dhe privimit të rëndë material, i cili përfshin përmirësimin e efikasitetit të grumbullimit, thuhet ndër të tjera në analizën e ASHAK.

Dhe, situata politike, s’do mend se ka ndikim shumë të madh në përmasat e ekonomisë gri. Ngjarjet e fundit në veriun e Kosovës gjatë dhjetorit 2022 janë shembulli më i mirë për këtë. Edhepse nuk ka të dhëna të sakta për përmasat tmerruese të kontrabanës dhe të futjes së mallrave nërmjet rrugëve ilegale gjatë kohës së bllokimit të rrugëve në veriun e vendit, sipas njohësve të zhvillimeve në veri, kontrabanda gjatë këtyre ditëve, lexo ekonomia informale, ekonomia gri, është ngritur në shifra tmerruese.

Praktikisht për rreth një muaj i tërë furnizimi i Veriut, por edhe një sasi shumë e madhe mallrash dedikuar për mbarë Kosovën, ka hyrë nëpër pikëkalime ilegale kufitare të shumta përgjatë kufirit Kosovë-Serbi. Këto janë faktet. Prandaj, edhe pse ka disa rezultate, sidomos në luftimin e korrupsionit nga Qeveria aktuale dhe në mbledhjen më të frytshme të tatimeve, situata edhe sot e kësaj dite, sa i përket prezencës së ekonomisë joformale në Kosovë është goxha identike me konstatimet që përfshihen në studimin e ASHAK.

Me fjalë të tjera, edhe pse nëpër forume, debate të ndryshme dhe në foltoret e institucioneve të vendit, që nga pas lufta pati shumë zëra që alarmuan pasojat e ekonomisë joformale dhe nevojën e domosdoshme për ta luftuar atë, del që rezultatet e arritura janë fare të papërfillshme. Madje, sado që shifrat zyrtare për ekonominë gri në nivele Republike përditësohën rrallë, del pak a shumë që ato janë të pandryshueshme, që i bie se ekonomia joformale vazhdon të sillet te rreth 30 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose që rreth 2 miliardë euro qarkullojnë në Kosovë dhe asnjëherë nuk deklarohen.

Dhe dihet, sa është e madhe kjo shumë parash për Kosovën e vogël dhe të vobektë financiarisht. Nuk kanë arritur ndonjë rezultat as Strategjitë për luftimin e ekonomisë joformale, të miratuara nga Qeveritë e kaluara, e të cilat përfshinin të gjithë aktorët zbatues të ligjit, që duhet të punonin për të zvogëluar apo luftuar ekonominë joformale.

Në bazë të shifrave të proklamuara zyrtarisht për ekonominë gri në Kosovë, po del që deklarimet e shumë zyrtarëve, edhe në nivel ministrash të financave, të qeverive të deritashme se fokusi i autoriteteve në Kosovë, do të jetë luftimi i ekonomisë joformale dhe trajtimi i barabartë i të gjitha bizneseve, del të jetë se kanë qenë vetëm deklarata sa për të thënë diçka, pa efekte dhe pa rezultate. Nuk dha rezultate, praktikisht as vizioni se luftimi i informalitetit do të fokusohet në rritjen e të hyrave për arkën e shtetit dhe në trajtimin e barabartë të tatimpaguesve.

Edhe më tutje vazhdon të vlejë si rregull se “dikush mundet të paguajë taksa e dikush të mos paguajë”. Edhe më tutje vazhdojnë të afarojnë biznese që përballen realisht me konkurrencë të pandershme. Deri kur, këtë duhet ta deklarojnë dhe ripërsëritin autoritetet dhe zyrtarët aktual të republikës. /Ekonomia Online

/Shqip.com